Dy mesazhet e shefit të NATO-s për Vuçiqin e Kurtin: Jemi të gatshëm të ndërhyjmë dhe dialogu duhet të vazhdojë

  • G.G /
  • 04 August 2022 - 09:37
Dy mesazhet e shefit të NATO-s për Vuçiqin e Kurtin: Jemi të gatshëm të ndërhyjmë dhe dialogu duhet të vazhdojë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka bërë të qartë se NATO është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë, bazuar në mandatin e OKB-së, nëse vihet në pikëpyetje stabiliteti

Pas bisedës që dje kishte me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për tensionet në veri të Kosovës, ai shkroi në Twitter se të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes diplomacisë.

“Bisedova me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për tensionet në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë. NATO-ja qëndron e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, bazuar në mandatin e saj të Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar Stoltenberg.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Presidencës së Serbisë, në bisedë, Vuçiqi i ka thënë Stoltenbergut se Serbia “nuk ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit apo Rezolutën 1244 dhe se nuk ka kërcënuar në asnjë mënyrë paqen, por se vazhdon të sillet me përgjegjësi e seriozitet në zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve të hapura që lidhen me krahinën jugore serbe”.

Stoltenberg një ditë më parë ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it.

“Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qetë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun nën ndërmjetësimin e BE-së. Mbetem në kontakt të ngushtë me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Kujtojmë se gjatë ditës së diel, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u maltretuan në kufi.

Tensionimi i situatës bëri që Qeveria e Kosovës ta shtyjë për muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Shtyerja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.

(Kosova Sot Online)