VV apo PDK, kush është përpjekur më shumë për Veriun? Replikat Kurti – Haxhiu

  • G.G /
  • 04 August 2022 - 12:00
VV apo PDK, kush është përpjekur më shumë për Veriun? Replikat Kurti – Haxhiu

Kryeministri Albin Kurti po debaton në Kuvend me deputetët opozitarë për situatën në veri të vendit. Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se kjo parti ka punuar më së shumti për shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të vendit. Kurti i replikoi.

Haxhiu iu kundërvu kështu Kurtit pasi ai lavdëroi punën e institucioneve për veprimet e fundit të Veri.

“Asnjë parti nuk ka punuar më shumë për veriun, për sovranitetin dhe shtetin, sesa Partia Demokratike. Çka po thu i nderuar Albin me këtë logjikë se pse s’u bë ajo ose s’u bë kjo deri tash, ne kur është shpallur pavarësia në vitin 2008, ish dashtë me thënë pse kjo punë s’u bë në vitin 1912, a 1945, a 74-tën, a të 81-tën”, tha Haxhiu.

Kurti tha se këtu është një “dallim i madh”.

“Unë subjketim tim s’e përmenda asnjëherë. Unë nuk thash se këtë e kanë bërë anëtarët e subjektit tim ku jam kryetar. E kan bërë zyrtarët e shtetit. E kanë bërë zyrtarët e doganave, zyrtarët e policisë. Shteti i cili është i përbashkët, i ka arritur këto suksese”, tha Kurti.

“Por nëse ne kemi merita, është që ne e kemi çliruar shtetin për t’i bërë këto veprime. Sepse përpara ka dirigju partia. Partia ka thënë bën, partia ka thënë s’bën. Edhe partia ka thënë a e kemi njeriun tonë atje, e jo sa cilësor është për nga profesionalizmi e sa i ndershëm për nga integriteti. Pra, ky është dallimi i madh”, shtoi kryeministri.

(Kosova Sot Online)