Dëshmitari rrëfen rolin e Deliqit në masakër, që tash mori pushtet në Serbi

  • G.G /
  • 05 August 2022 - 12:00
Dëshmitari rrëfen rolin e Deliqit në masakër, që tash mori pushtet në Serbi

Dhimbja për familjen e Bekim Gashit nga Tërnja e Suharekës vetëm sa u shtua ditëve të fundit. Në masakrën e fshatit në vitin 1999, Gashit iu vranë nëna dhe katër motrat. Krimi makabër u krye nga Brigada 549 që udhëheqej nga komandanti serb Bozhidar Deliq. Para disa ditësh ai u emërua Nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Për masakrën në fshatin Tërnje, Bekim Gashi kishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Serbisë ndaj komplet zinxhirit komandues të kësaj brigade. Përfshirë tash Nënkryetarin e Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq. Megjithatë, i njëjti u largua nga aktakuza e Prokurorisë së Serbisë.

“Bozhidar Deliqi ka qenë komandant i Brigadës 549 në Ushtrinë Jugosllave. Pra për komplet regjionin e Gjakovës dhe Prizrenit e ka udhëhequr, ai ka qenë komandant kryesor. Kur është kryer masakra nuk ka qenë prezent, por është normale që është kryer me urdhër të tij”, e nis rrëfimin e tij Bekim Gashi për gazetën Nacionale.

“Kur e kemi pas bërë padinë në vitin 2008 e kemi përfshirë komplet zinxhirin komandues në krye me Bozhidar Deliqin. Prokurori që e ka hetuar, e ka hek Deliqin e ka bërë të pafajshëm kinse nuk ka dëshmi të mjaftueshme. Ka qenë edhe i ftuar i Hagës”, deklaron Bekim Gashi

Në gjykimin që u mbajt në Serbi për masakrën e Tërnjes, Deliq ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Aty u gjykuan dy shokët e tij Rajko Kozlina e Pavle Gavriloviq.

Përderisa Pavle Gavriloviq ishte liruar si i pafajshëm, Kozlina u dënua me 15 vjet burgim. Por, dënimin nuk e ka vuajtur kurrë, pasi Kozlina është arratisur.

“Ka qenë dëshmitar për gjykimin që është mbajtur për masakrën në Tërnje të Suharekës, dhe aty ka dëshmuar dhe ka thënë se nuk jam në njohuri. Ka thënë se nuk ka dhënë urdhër për masakër, por vetëm për bllokadën në fshatin Tërnje. Ai e ka pranuar se ka qëndruar në Krushë dhe Celinë, ku edhe aty atë ditë është bërë masakra e njejtë. Është në transkriptin e gjykatës ky fjalim”, tregon Bekim Gashi, i mbijetuar i masakrës në Tërnje të Suharekës.

Edhe pse i ftuar si dëshmitar, Bozhidar Deliq, i dyshuar për krime lufte edhe në shumë lokacione të tjera të Kosovës, ishte i përkedhur nga Prokuroria e Serbisë.

Bekimi që kishte marrë pjesë në të gjitha seancat e mbajtura në Beograd, tregon detaje interesante si ishte pritur Deliq në Prokurori.

“Me sa jam në njohuri Fondi ka pasur kallëzime penale ndaj Deliqit, por Gjykata ka caktuar prokurorë njëherë i ka hetuar, dhe pastaj i ka hudhur ato poshtë si të pabaza, nuk ka fakte të mjaftueshme kinse. Normalisht, ka fuqi politike ai, edhe në Gjykatë me pa pritjen që iu ka bërë edhe nga prokurorja që e ka udhëhequr rastin ka qenë e çuditshme. Ka qenë i përkdhelur nga dëshmitarët e tjerë, shumë i përkëdhelur”, shprehet më tutje Gashi 

Bekim Gashi është i zhgënjyer me përzgjedhjen e Deliqit si Nënkryetar i Kuvendit të Serbisë. Ai thotë se për këtë, kanë pasur faj të gjitha qeveritë e Kosovës që nga paslufta.

“Më mirë ish kanë me u përgjigj Presidenca, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, sepse nuk besoj që as qeverinë e tashme e as atë që kanë udhëhequr nga paslufta, nuk kanë pasur asnjë reagim as për pozitën e atëhershme, as tash. Normal që ne si familjar nuk e përjetojmë mirë, është fyerje e rëndë për familjen tonë por çka kemi me bo. Vetë nuk mundemi me luftu, përderisa nuk bëjnë asgjë institucionet, ne jemi vec një pikë ujë në Oqean”, përfundoi rrëfimin e tij Bekim Gashi.

Opinion / Serbia po rrëshqet drejt autokracisë

Bekim Gashi si familjar kishte ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Serbisë ndaj komplet zinxhirit komandues të Ushtrisë së Serbisë. Pas kësaj, aktakuza u ngrit vetëm ndaj Pavle Gavriloviq e Rajko Kozlina. Njëri u dënua dhe u arratis, e tjetri u lirua. Si rezultat, të dy janë të lirë.

Gashi për vite të tëra, me dhjetëra herë udhëtoi drejt Beogradit për të marrë pjesë në seanca gjyqësore, të cilat në fund përfunduan me padrejtësi edhe më të madhe për familjen e tij.

Kush është Bozhidar Deliq?

Ish-gjenerali ushtarak, Bozhidar Deliq, ishte komandant i një brigade të Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës në Kosovë.

Ai ishte lider i koalicionit të së djathtës, NADA (Shpresa) para zgjedhjeve në Serbi, që u mbajtën më 3 prill të këtij viti.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Bozhidar Deliq ishte komandant i Brigadës së 549 të Ushtrisë Jugosllave.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, që heton krimet e luftës, ka ngritur dy kallëzime penale kundër tij për ato që ata thanë se ishin krime në Kosovë, por asnjë proces penal nuk është nisur kurrë kundër Deliqit.

Si dëshmitar mbrojtës, ai u paraqit para Tribunalit të Hagës në gjykimet kundër ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq, dhe Vladimir Lazareviq, i cili ishte dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë.

Deliq vazhdimisht ka thënë se nuk do ta dorëzonte në Gjykatën e Hagës Ratko Mlladiqin, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ndaj zgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në Kosovë, Saranda Bogujevci, një e mbijetuar e masakrave brutale të regjimit gjenocidal të Serbisë, shërben si nënrkyetare e Parlamentit. Derisa, Parlamenti i Serbisë ka emëruar Bozhidar Deliqin, komandantin e brigadës që ka masakruar mijëra kosovarë, si nënkryetar”, ka shkruar Osmani në Twitter.

(Kosova Sot Online)