Vrasja në Lipjan, zbulohet emri i viktimës dhe i dy të dyshuarve

  • gg /
  • 06 August 2022 - 11:40
Vrasja në Lipjan, zbulohet emri i viktimës dhe i dy të dyshuarve

Një person është vrarë mbrëmë dhe dy të tjerë janë plagosur në Lipjan. Personi që humbi jetën  nga burime të sigurta brenda policisë është Dardan Gashi.

Të dyshuar për vrasjen e tij dhe plagosjen e dy të tjerëve janë Muhamet Gashi dhe Gazmend Selimi.

Të dyshuarit, siç kupton Front Online, ndodhën në arrati. Policia po punon për kapjen e tyre.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka bërë me dije se deri te vrasja ka ardhur pas një mosmarrëveshje.

“Mbrëmë rreth orës 23:40, policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur në një lokal në rrugën ”Lidhja e Prizrenit” në Lipjan. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat e deritanishme janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me vrasje të një personi, si dhe plagosjen dhe dy personave të tjerë”, ka thënë Ahmeti.

Rasti është cilësuar si vrasje e rëndë. “Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar, si dhe janë duke punuar për ndriçimin e plotë të rasti i cili është cilësuar si vrasje e rëndë”, ka deklaruar Ahmeti.

(Kosova Sot Online)