Ah edhe këta qentë e rrugëve tona!

  • Shefik Shkodra /
  • 09 August 2022 - 11:00
Ah edhe këta qentë e rrugëve tona!

Shkruan: ANALISTI-Shefik Shkodra

-I pash ditën me gjuhë jashtë nga vapa e verës. Karvan anëve të rrugës. Lloj-lloj ngjyrash e lloj-lloj turinjsh. Qentë si qentë më, pa kontroll. Flamngjitës, të gërditshëm e herë herë të rrezikshëm, kur ndodhesh në një hapësirë të ngushtë në mes tyre. Ani kur kapen në mes veti, turmë, pas një ashti. Po edhe pas një kudre...atëherë droe të kafshojnë, të bëjnë copa. Qen të rrugëve.  Borku e Stanimiri i kanë ndjekur nga veriu dhe i kanë drejtuàr qyteteve e fshatrave nëpër Kosovë. I kanë ngashënjyer me copa ngordhësirash. E këta janë trimëruar. Po janë tërbuar kafshët që nuk dinë as për dëmin e as për fatkeqësitë që i sjellin këtij qytetërimi. Han çka gjejnë, nëpër koshiqe bërlloku i fusin turinjtë dhe shkapërderdhin sëmundjen edhe te njerëzit e qetë. Edhe rrugët i fëlliqin. Nuk lejojnë të ecësh në punët tua. Një shtrihet përpara, një tjetër pak më tutje qëndron galuc, një tjetër ta trupon rrugën. Tinëzisht të shikojnë. Po kështu thonë, edhe këta kanë të drejtë në këtë pluralizmin demokratik.

Duhet ta njohim edhe këtë të drejtë, pavarësisht edhe nëse do të kushtonte shtrenjtë për qytetarët e Kosovës. Po dihet, këta mend s'kanë. Mbrojtje s'ka prej tyre. Qëllimi i tyre është një kockë për ta lëpirë. Sa qe nata e lume, s'munda të shti pak gjumë në sy. Shumë rrëmujë bënin Qentë e rrugëve. Zëra neveritës nga lehje të ndryshme. Ai Murqi i Borkit, kur fillonte i pari në mënyrë sporadike, tē gjithë pastaj pas tij. Si kor. Një qafëtrashë, ouv- ouv-ouv! Ngjitas me të një kudër: klem-klem-klem, kurrë pa ndalë zagariset.

Një kuqalosh mbahet në radhë të korit me: hum-huuuuum! Sikur ulërin në shenjë të së keqes. Edhe një farë shkreti: gev-gev-geeev! që mezi i bartë këmbët e veta, po pa hap gojën s'e lë. Ka me cofë se nuk ia lënë ata murqat asnjë copë kocke. Do të rinj, sapo kanë mësuar të imitojnë të njëjtat mekame. Shpejt rriten si ata të korit. Me ta janë të bashkuar. Është atmosferë e mërzitshme veç kur i dëgjon, lë më për diç tjetër. Edhe kur i sheh, tugun ta çojnë. Sa qeni ka ngrënë e pi e është rritur në këtë vend!  

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".