Historia dhe rrëfimi i kosovares që dyshohet se e mbyti motrën e saj

  • G.G /
  • 10 August 2022 - 13:36
Historia dhe rrëfimi i kosovares që dyshohet se e mbyti motrën e saj

E akuzuara për vrasjen e motrës, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2021, në Vragoli të Fushë-Kosovës, në seancë u paraqit duke u lutur me duar të ngritura lart.

Pasi përfundoi lutjen, F.S. para trupit gjykues deklaroi se nuk i kujtohej asgjë për ditën kritike ku ishte vrarë motra e saj.

“Nuk e mbaj mend atë ditë, s’di, s’më kujtohet“ – tha e akuzuara.

Gjatë dëshmisë ajo deklaroi se nuk i bën dëm asnjë njeriu në botë.

“Asnjë njeri nuk e dëmtoj n’botë“- tha ajo.

Gjykimi vazhdoi me deklarimin rreth raporteve që e akuzuara kishte me motrën e saj.

“Ajo tërë kohën m’lajke me shampon, m’jepke hapa me pi, edhe çka me vesh m’kallxojke”-shtoi ajo.

Menjëherë pas përfundimit të deklaratave të të akuzuarës, prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, dha fjalën përfundimtare ku potencoi se mbetet prapa akuzës dhe se kërkon dënimin e të akuzuarës.

“Pa asnjë mëdyshje është vërtetuar se e pandehura F.S. kreu veprën penale që i  vihet në barrë në kohë, vend dhe mënyrë  ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e kësaj aktakuze”- tha Beqiri.

Po ashtu, edhe avokati i të akuzuarës, Halit Shaljani, në fjalën e tij përfundimtare tha se e kundërshton aktakuzën duke pretenduar se ka mungesë të provave dhe e tëra është e bazuar në dëshmi kontradiktore, ku njëri dëshmitar thotë se ai e ka gjetur viktimën, njëjtë thotë edhe dëshmitarja tjetër.

Tutje mbrojtësi theksoi se gjatë tërë procesit gjykues ka hasur në problem për t’u konsultuar me të akuzuarën F.S.

Prokuroria e Prishtinës në vitin 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S. për vrasjen e motrës T.S. të cilën anëtarët e tjerë të familjes e kanë gjetur të shtrirë në krevat pa shenja jete, me shall të lidhur në fyt.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të ndjerës i janë gjetur edhe shenja të gishtërinjve në fyt si rrjedhojë e së cilës edhe ka vdekur.

Sipas Prokurorisë F.S., pas kryerjes së veprës ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Për këtë rast gjyqtari I rastit Kushtrim Shyti njoftoi se vendimi do të shpallet më 11 gusht.

(Kosova Sot Online)