Në Rusi shfaqin pankarta me targat ilegale në përkrahje të Serbisë?

  • S.A /
  • 11 August 2022 - 11:37
Në Rusi shfaqin pankarta me targat ilegale në përkrahje të Serbisë?

Një video që po qarkullon në rrjetin social Twitter, e që është thuhet se është realizuar në Rusi, tregon edhe njëherë se bashkëpunimi ruso-serb është më shumë sesa i marrëdhënieve të shkëlqyeshme diplomatike.

Disa të rinj, me pankartën e targave ilegale të Mitrovicës “KM”, e cila u përdor si ngjitës ditët e fundit në komunat veriore, kanë realizuar një video. Në këtë video, gjersa mbajnë pankartën në duar, ata brohorasin “Kosova është zemra e Serbisë”.

Ngjitësi, i cili u shndërrua në pankartë në Rusi, është disenjuar nga serbët e Kosovës, të cilët kundërshtojnë implementimin e unifikimit të targave të Republikës së Kosovës.

Përveç marrëdhënieve të mira në mes të Moskës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, ndikimi rus është rritur ndjeshëm edhe në komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Rusia ia ka dhënë përkrahjen Listës Serbe në Kosovë, që nga viti 2017, kur këtë e deklaroi Sergey Zelezniak në takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. Atëherë, Rakiq e kishte ftuar Zelezniak-un, përfaqësuesin e partisë së Putinit “Rusia e Bashkuar” që t’i vizitonte serbët e Kosovës.

(Kosova sot Online )