Petkoviqi i ankohet ambasadorit amerikan, provon t’ia mbushë mendjen se Kosova po “bën thirrje” për luftë

  • G.G /
  • 11 August 2022 - 14:35
Petkoviqi i ankohet ambasadorit amerikan, provon t’ia mbushë mendjen se Kosova po “bën thirrje” për luftë

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovë” në Serbi, Petar Petkoviq, ka takuar ambasadorin amerikan në Beograd Christopher Hill, të cilit ka provuar t’ia mbushë mendjen se Kosova po bën thirrje për luftë. Ai është ankuar te diplomati amerikan se Prishtina ka bërë “veprime të njëanshme dhe joligjore në veri me vendimin për targa”.

Petkoviq rëndom nga takimet e tij me zyrtarë të huaj, njofton vetëm për versionin e tij të takimit pa treguar se çfarë ka deklaruar pala tjetër.

Ai ka thënë se kryeministri Kurti “po ua shfaq armët serbëve” në Kosovë.

“Në anën tjetër, në vend të negociatave, Albin Kurti dëshiron t’ua shfaq armët dhe t’i kërcënojë serbët në krahinë”, ka thënë ai.

Vartësi i Vuçiqit në qeverisje, Petkoviq ka deklaruar poashtu se s’ka normalizim të marrëdhënieve nën armë dhe mjete të blinduara”.

“Vetëm njoftimi nga Prishtina se në Bruksel nuk do të diskutohet për kartat e identitetit dhe targat serbe, as se Kurti është i gatshëm të formojë Asociacionin e Komunave Serbe , por se po paralajmëron masa të reja të një anshme nga 1 shtatori, gjë që tregon se Prishtina nuk dëshiron të ndërtojë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këto zona. Çdo ditë jemi dëshmitarë të përpjekjeve të Prishtinës për të shfuqizuar plotësisht dhe për ta bërë të pakuptimtë dialogun dhe për të shkatërruar çdo urë të mundshme bashkëpunimi dhe besimi që do të ndërtonim. Pavarësisht kësaj, Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut”, ka thënë Petkoviq.

Sot, Vuçiq ka shkuar edhe më tej me propagandë duke thënë se “Prishtina po përgatit sulm dhe likuidim të serbëve në veri”.

Në një konferencë për media nga zyrat e tij, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është kujdesur të çojë mesazhe agresive, vetëm një javë para takimit me Kurtin në Bruksel.

Përveç gjuhës së rëndë se pala kosovare po përgatit sulm dhe vrasje në Veri, Vuçiq ka nxitur serbët që të mos i pranojnë vendimet e Kosovës për targat RKS dhe dokumentet për hyrje-dalje në Kosovë.

“Prishtina ka vendosur që të gjithëve t’u vendosë targa RKS, e po ju them,  nuk do të bëni, po ju them se njerëzit nuk do ta pranojnë. Dhe çfarë do të bëjmë atëherë”, ka thënë Vuçiq.

(Kosova Sot Online)