AKI-ja të mobilizohet me forca të dyfishuara kundër shërbimeve sekrete ruso-serbe!

  • -Gani Qarri /
  • 11 August 2022 - 23:26
AKI-ja të mobilizohet me forca të dyfishuara kundër shërbimeve sekrete ruso-serbe!

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Habit fakti se si pikërisht të njëjtën ditë që u sulmua policia e Kosovës nga bandat kriminale në veri të vendit, tek Liqeni i Ujmanit, dhe vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës me rastin e fillimit të zbatimit të reciprocitetit, u identifikua duke tentuar të hyjë nga territori i Serbisë në Kosovë edhe spiunia ruse Daria Aslamova, e cila edhe është arrestuar nga Policia.

-Edhe vet rasti i fundit i kapjes dhe shpalljes person i padëshirueshëm i “gazetares” dhe spiunes ruse Daria Aslamova, në Kosovë, dëshmon publikisht dhe me fakte konkrete infiltrimin e shërbimeve të fshehta ruse, së bashku me ato të Serbisë, në krijimin e situatave destabilizuese në veri të Kosovës dhe zonat e banuara nga pakica serbe. Madje pikërisht ky fakt është edhe një dëshmi konkrete dhe e pakundërshtueshme se ndërhyrja e hapur e Rusisë në veri të Kosovës, ishte dhe mbetet një fenomen i rrezikshëm, kundër të cilit, organet përkatëse të shtetit të Kosovës, duhet të luftojnë në mënyrë edhe më efikase dhe permanente.

Habit fakti se si pikërisht të njëjtën ditë që u sulmua policia e Kosovës nga bandat kriminale në veri të vendit, tek Liqeni i Ujmanit, dhe vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës me rastin e fillimit të zbatimit të reciprocitetit, u identifikua duke tentuar të hyjë nga territori i Serbisë në Kosovë edhe spiunia ruse Daria Aslamova, e cila edhe është arrestuar nga Policia.

Siç dihet spiunia 52-vjeçare nga Rusia, është korrespondente speciale e angazhuar në propagandën e luftës në Ukrainë, për të përditshmen ruse Komsomolskaya Pravda, gazetë që njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit.Kurse ajo ka punuar si gazetare në shumë zona të luftës edhe në Ukrainë si korrespondente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad përfshirë Çeçeninë, Abhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë. Prandaj e gjithë kjo, flet më tepër se mjaftueshëm për nevojën e angazhimit edhe më të madh të organeve të sigurisë së shtetit, sidomos të AKI-së, për të mbledhur informacione nga shërbimet homologe të shteteve miqësore ndaj Kosovës, mbi lëvizjet e rrjetit të shërbimeve sekrete ruso-serbe, që kanë për qëllim destabilizimin jo vetëm të Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës, por edhe të vendeve të tjera në fqinjësi në rajonin e Ballkanit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".