Avokati i Popullit: Shpejt dalim me qëndrim për udhëzimin administrativ për shaminë

  • G.G /
  • 13 August 2022 - 16:17
Avokati i Popullit: Shpejt dalim me qëndrim për udhëzimin administrativ për shaminë

Avokati i Popullit ende nuk ka një qëndrim zyrtar për sa i përket çështjes së largimit apo jo të një udhëzimi administrativ që ua ndalon vajzave nën moshën 18 vjeçare bartjen e mbulesës në shkolla.

Kështu të paktën ka bërë të ditur zyrtari për komunikim në institucionin e Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.

“Avokati i Popullit, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Avokatin e Popullit së shpejti del me qëndrim zyrtar lidhur me çështjen në diskutim”, ka thënë shkurt Çollaku 

Javëve të fundit, pas më shumë se një dekade, bartja e mbulesës për vajzat e besimit islam në shkollat publike është rikthyer si temë diskutimi në Kosovë.

Një udhëzim administrativ i nxjerr nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës në vitin 2010, vendosi të ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, në vend.

Udhëzim ky i cili edhe në atë kohë kishte nxitur reagime të shumta.

Debati për lejimin e shamisë në shkolla nuk është i kufizuar në Kosovë. Shumë shtete janë në faza të ndryshme të këtij diskutimi.

Gjithsesi, për momentin, debati në Kosovë është kufizuar në rrejte sociale e studio televizive. Qeveria, përkatësisht ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që e ka në dorë largimin e nenit, ende nuk është marrë konkretisht me këtë çështje.

Megjithatë MASHT-i, dy ditë më parë përmes një komunikate për media njoftoi se si ministri ata do të përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe do të sigurohen që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore me fillimin e vitit të ri shkollor.

E ky reagim i Ministrisë së Arsimit në vlugun e debatit për shaminë u interpretua si zbutje e pozicionimit për këtë çështje.

Ndryshe nga Ministria e Arsimit, Albin Kurit, kryeministri i Kosovës, ishte më i qartë në artikulimin e qëndrimit të tij në lidhje me këtë çështje.

Kurti deklaroi se shamia nuk duhet të ndalohet për vajzat, por kushti është që ato të jenë mbi 16 vjet – “ky është pragu”, shtoi kryeministri duke e lidhur këtë moshë edhe me disa të drejta tjera që i kanë 16 vjeçarët – siç është martesa me pajtimin e prindërve.

Në debat për shaminë janë përfshirë edhe, profesorë universitarë, filozofë, teolog, juristë e shumë gazetarë.

Njëra anë argumenton në ekzistimin e një islamofobie në Kosovë dhe mungesë e të drejtave të vajzave myslimane për shkollim, derisa ana tjetër e quan nismën si prapambeturi dhe agjendë e islamit politik në Kosovë.

(Kosova Sot Online)