A po e planifikon Putini një surprizë në shtator?

  • A.P /
  • 15 August 2022 - 21:09
A po e planifikon Putini një surprizë në shtator?

Ukraina duket se po ecën mirë në luftën e saj kundër Rusisë. Shpërthimet kanë tronditur së fundmi një bazë ushtarake ruse në Krime, ndërsa presidenti i vendit Volodymyr Zelensky po deklaron plot besim se lufta duhet të përfundojë me çlirimin e Krimesë. Një ndihmë e madhe Ukrainës po i vjen edhe nga Perëndimi.

Por Ukraina ka qenë edhe më herët në këtë situatë, dhe Rusia e Putinit mund të përgatitet sërish për një ofensivë totale. Çdo bisedë për triumfin e Ukrainës duket shumë e parakohshme, sidomos teksa po i afrohemi muajit shtator. Në verën e vitit 2014, Ukraina po arrinte të shmangte përparimet e trupave ruse dhe po shënonte përfitime të konsiderueshme në terren.

Pastaj, në fund të gushtit ndryshoi gjithçka. Ndërsa Ukraina po kremtonte ditën e saj të pavarësisë më 24 gusht, duke shënuar shkëputjen e saj nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, ndodhi një ndryshim dramatik në front. Komandantët rusë i shkaktuan një disfatë të madhe Ukrainës në betejën e Ilovaisk.

Ishte një moment kyç. Trupat ruse mësynë në rajonin e Donetsk, e pushtuan atë dhe u afruan më pranë qytetit-port Mariupol. Pjesa tjetër është histori: ajo disfatë e detyroi Ukrainën të ulej në tryezën e negociatave në Minsk për “bisedimet e paqes” mbi Ukrainën Lindore.

Ato ishin të pakuptimta: Rusia nuk e lejoi Ukrainës të vinte në diskutim atë që kishte bërë Moska deri në atë moment. Ndërkohë Perëndimi mbyllin njërin sy dhe ra dakord me rrëmbimin flagrant të territorit nga Rusia, me shpresë se agresioni i saj do të harrohej shpejt.

Në këtë rast paralelet me aneksimin e Sudeteve nga Gjermania naziste në vitet 1938-1939 janë të dhimbshme dhe të shumta. Po çfarë e bëri diferencën më 24 gusht 2014, dhe pse ka rëndësi sot?

Sigurisht, jo fakti që ajo ishte dita e pavarësisë së Ukrainës. Për sa i përket Kremlinit, ajo ditë është një shaka: Askush në Moskë nuk i kushton vëmendje.

Që nga viti 2007, anëtarët e rrethit të brendshëm të Putinit, e kanë bërë të qartë se është një politikë aktuale shtetërore konsiderimi i kufijve të Federatës Ruse si ato të Bashkimit Sovjetik të vitit 1922, dhe të zgjeruara nga Stalini në vitet 1939-1945.

Gjithsesi, shtysa ideologjike e BRSS ishte “bashkimi” i proletariatit ndërkombëtar, ndërsa “federata” e Putinit bazohet në të kundërtën: nacionalizmin rus. Që të dyja buronin drejtpërdrejt nga ideologjia e shpikur nga caresha Katerina e Madhe. Megjithatë dy gjëra janë me rëndësi për javën e fundit të gushtit.

E para është fillimi i sezonit zgjedhor në Rusi. 11 shtatori është dita e votimit në zgjedhjet lokale në Rusi. Këto janë lloji i “zgjedhjeve” që Stalini do t’i njihte. Sipas tij nuk kanë rëndësi njerëzit që votojnë, por ata që numërojnë votat. Dhe që nga viti 2000, Putini është siguruar që të jetë Kremlini ai që bën numërimin e tyre. Moska po propagandon se Ukraina është tashmë me shpatulla pas murit.

Dhe optika të tilla justifikojnë fitoren e partisë Rusia e Bashkuar të Putinit, siç ka ndodhur për më shumë se dy dekada. Një fitore ushtarake e madhe në Ukrainë do të ishte e dobishëm për Putinin. Por kjo ka ndodhur edhe më parë. Në vitin 2014 dita e zgjedhjeve lokale ishte më 14 shtator. Kremlini e detyroi Ukrainën të binte dakord për nënshkrimin e një armëpushimi më 5 shtator në Minsk.

Në vitin 2020, helmohet Alexei Navalny, një kërcënim serioz për Putinin dhe i mbështetur në Perëndim. Data? 20 gusht. Por ka një moment shumë më të rëndësishëm, që i bën të dridhen nga frika të gjithë në Kremlin. Ajo ditë është 7 tetori, ditëlindja e Vladimir Putinit, kur do të publikohet një video-propagandistike për arritjet madhështore të presidentit.

Në vitet e mëparshme, Kremlini ka shkuar edhe më tej për ta festuar këtë ngjarje. Kështu ditëlindja e Putinit ka përkuar me vrasjen gjakftohtë të gazetares opozitare Anna Politovskaya në vitin 2006 (pasuar disa javë më vonë nga ajo e ish-agjentit të Putinit në KGB, kolonelit Alexander Litvinenko).

Por ky është shumë i veçantë: është ditëlindja e 70-të e Putinit. Të gjithë në Kremlin janë të vetëdijshëm se “show”me rastin e ditës së zgjedhjeve të këtij shtatori, vetëm disa javë para ditëlindjes së Putinit, do të ishte më mirë që të ishte spektakolar. Lipset me patjetër një njoftim për një fitore të madhe në Ukrainë.

Çfarëdolloj forme që do të marrë, ajo duhet të bëjë që Kremlini dhe vetë Rusia duhet të duken si të plotfuqishme për elektoratin rus. Kjo ndjenjë do të duhet të vazhdojë të përhapet gjatë gjithë muajit shtator. Një fushatë e madhe ushtarake si ajo e zhvilluar gjatë betejës së Ilovaisk të vitit 2014 është përgjigjja më e qartë.

Ndaj një sulm i tillë mund të jetë i pashmangshëm në javët në vijim. Ministria britanike e Mbrojtjes, ka paralajmëruar se Rusia është gati të formojë një njësi të re të madhe forcash tokësore, Korpusin e 3-të të Ushtrisë me deri në 15.000-20.000 trupa.

Dikush mund të theksojë se ndryshimi midis tani dhe vitit 2014, është se Ukraina ka një ushtri deri në 1 milionë trupa, dhe se shumë ukrainas rusisht-folës sot e urrejnë Rusinë. Ndërsa këto janë zhvillime që më parë ishin të pamendueshme, do të ishte naive të mendohej se Rusia nuk është në gjendje t’i shkaktojë një dëm të madh Ukrainës.

Në fund të fundit, Kievi është ende duke zhvilluar një luftë të pabarabartë. Marina ruse në Detin e Zi mund të jetë e vjetruar dhe e lodhur, por në fakt Ukraina nuk ka fare marinë. Kjo do të thotë se të gjitha ato anije luftarake ruse të mbijetuara, mund ta rrënojnë vijën bregdetare të Ukrainës pa u penguar nga askush, siç e bënë me sukses në Mariupol.

Duart e Ukrainës janë të lidhura pas shpine edhe në një mënyrë tjetër. Ushtria e saj është thuajse tërësisht e varur nga ndihma ushtarake e huaj. Ajo nuk mund t’i përdorë ato për të nisur sulme ndërkufitare, pasi trupat ruse në territorin rus janë jashtë kufijve. Pastaj tradicionalisht një ndihmë e tillë ushtarake favorizon gjithmonë një rezultat të caktuar.

Ajo mjafton për ta ndalur agresorin, por jo për ta detyruar të largohet nga territori tashmë i pushtuar. Ky ishte sigurisht rasti në vitin 2014. Por sot Ukrainës i duhet shumë më tepër për të fituar. Pyetja e madhe për Zelensky në Kiev është: Çfarë do të bëjnë aleatët tanë nëse Rusia nis një sulm të madh? A do të marrim ndihmë të mjaftueshme për ta poshtëruar Rusinë, dhe për të neutralizuar një sulm të tillë gjithëpërfshirës, për të shmangur një Ilovaisk II?

E njëjta pyetje duhet të bëhet në kryeqytetet perëndimore, por e parë nga ana tjetër: A mund të rrezikojnë atë të armiqësohen në kulm me Putinin duke i shkaktuar atij një humbje të bujshme, që do t’i rrezikojë pushtetin? Dhe nëse e bëjnë, çfarë do të bëjnë më pas? Në vitin 2014, frika në Perëndim kufizohej kryesisht tek pasiguria mbi gazin dhe gazsjellësit rusë që hapeshin dhe mbylleshin në formë kërcënimi.

Sot diskutimet për hakmarrje shkojnë shumë përtej interesave të tilla tregtare. Por çfarëdo që të ndodhë gjatë javëve të ardhshme, vendet e NATO-s – dhe këtu përfshihet edhe fqinji i Ukrainës në Detin e Zi, Turqia – duhet të kuptojnë një gjë: sa herë që i lini hapësirë veprimi diktatorit, i zmadhoni problemet tuaja në të ardhmen.

Nëse shqetësoheni, le të themi për një shpërthim misterioz të reaktorit bërthamor në termocentralin bërthamor Zaporizhzya si një lloj hakmarrje për një disfatë, mendoni se për çfarë duhet të shqetësoheni në të ardhmen e parashikueshme kur aleatja e Rusisë, Bjellorusia, të bëhet fuqia e 10-të bërthamore në botë. Më pas Moska mund të veprojë sikur nuk ka të bëjë fare me vendimet apo “gabimet” bërthamore të Bjellorusisë. Duam apo jo, problemet e Zelensky duhet të llogaritet si të ishin tonat.

Shënim:Dr.Yuri Felshtinsky është një historian ruso-amerikan. Së bashku me Alexander Litvinenko ai është autor i librit “Shkatërrimi i Rusisë”.

(Kosova Sot Online)