Begaj: Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës

  • A.P /
  • 15 August 2022 - 22:00
Begaj: Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës

Një traktat për mbrojtje të ndërsjellë me Shqipërinë, cili do të mundësonte reagim në rast të cenimit të shteteve, është diskutuar në takimin në mes të presidentes Vjosa Osmani dhe homologut të saj Bajram Begaj.

Njëzet e një ditë pas emërimit, fillon vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Shqipërisë.

Presidenti Bajram Begaj e nis pikërisht me Prishtinën, ku pritet me ceremoni shtetërore nga homologia kosovare Vjosa Osmani.

Kur intonohen himnet e Shqipërisë e Kosovës, të dy vazhdojnë takimin bashkë me delegacionet në zyrën e shefes së shtetit.

E biseda 60 minutshe mes tyre, u karakterizua me diskutimet rreth mundësisë së bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

“Sa i përket bashkëpunimit tonë dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është me rëndësi që mes Shqipërisë, siç e diskutuam, të kemi edhe një traktat për mbrojte të ndërsjellë me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite qe e kam bërë një propozim të tillë, i cili është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete përfshirë nga aleatët tanë strategjik ndaj mendoj që është koha të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”, tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.

Tre ditë pasi dorëzuan rezolutën në Këshillin e Evropës kundër raportit të Dick Martyt, Begaj ri-përsërit qëndrimin për luftën në Kosovë dhe UÇK-në.

Për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, ky u zotua se do jetë zëdhënës i interesave të Kosovës.

Përveç presidentes, Bajram Begaj u takua edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe shefin e ekzekutivit, Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)