Abdixhiku nuk i shkon në takim presidentit Begaj

  • G.G /
  • 16 August 2022 - 11:21
Abdixhiku nuk i shkon në takim presidentit Begaj

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i ka shkuar sot në takim presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kjo pasi ky i fundit ka refuzuar që të takohet me drejtuesit e LDK-së në selinë e tyre.

Ndryshe, dje LDK-ja e ka quajtur të pakuptimtë refuzimin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, që të shkojë në zyrat e LDK-së.

”Për dallim nga krerët institucionalë paraprak të Shqipërisë, presidentët e shkuar, kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj. Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj”, thuhet në reagimin e LDK-së për Klan Kosovën.

LDK-ja ka thënë se “e ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”.

Begaj gjatë ditës së sotme është takuar me kreun e PDK-së Memli Krasniqi dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Begaj do të ketë takim edhe për përfaqësues të partive minoritare dhe me komandantin e KFOR-it.

Vizita e Begajt në Kosovë ka nisur dje ku është pritur me nderime shtetërore nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.

Përveç Osmanit, Begaj ka takuar edhe kreun e ekzekutivit Albin Kurtin.

Gjatë qëndrimit në ditën e parë në Prishtinë presidenti i Shqipërisë ka deklaruar se të dy vendet ndajnë aspiratat e njëjta drejt rrugës evropiane.

Ai ka thënë se Shqipëria e mbështet Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndërsa ka theksuar se do të jetë zëri i Kosovës aty ku i jepet mundësia.

Gjatë ditës se djeshme presidenti i Shqipërisë ka bërë homazhe pranë varrit të presidentit historik Ibrahim Rugova si dhe familjes Jashari në Prekaz.

(Kosova Sot Online)