Krasniqi shkon në Kuvend për ta takuar Begajn, merr disa zyrtarë të PDK’së me vete

  • S.A /
  • 16 August 2022 - 12:18
Krasniqi shkon në Kuvend për ta takuar Begajn, merr disa zyrtarë të PDK’së me vete

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkuar sot në Kuvendin e Kosovës për ta takuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin e ka uruar për pozitën e marrë, duke thënë se i ofron mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të tij dhe të PDK-së në kultivimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Siç njofton PDK, Krasniqi ka përgëzuar Begajn për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shprehur besim se ky vendim i BE-së, pas shumë vonesave, ka kthyer vëmendjen kah Ballkani Perëndimor.

“Presidenti Begaj nga ana e tij ka vlerësuar lart angazhimin shtetformues e shtetndërtues të PDK-së, të liderëve të saj si dhe gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Shqipërisë për proceset jetike të Kosovës me qëllim të fuqizimit të shtetësisë, demokracisë dhe proceseve integruese euroatlantike”, thuhet në njoftimin e partisë.

Gjithashtu, Krasniqi tha se e ka falënderuar presidentin Begaj për mbështetjen që Shqipëria “po jep për dy liderët tanë historikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, që nga shkuarja e tyre në Hagë”.

Krasniqi u shpreh mirënjohës ndaj shtetit shqiptar edhe për adresimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së për raportin e ish-senatorit Dick Marty.

Bashkë me Krasniqin ishin edhe disa zyrtarë të tjerë të partisë si Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, Ganimete Musliun e të tjerë.

(Kosova Sot Online )