Tërmet në mesin e ish pushtetarëve të korruptuar, goditen nga Ligji  i Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në ortakëri me krimin e organizuar

  • 16 August 2022 - 18:01
Tërmet në mesin e ish pushtetarëve të korruptuar, goditen nga Ligji  i Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në ortakëri me krimin e organizuar

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Struktura, të instaluara nga ish qeveritë e inkriminuara të cilat e kishin kapur thellësisht drejtësinë e Kosovës, duke qëndruar vet mbi ligjin, për dy dekadat me radhë,  tani duan ti mbrojnë me çdo kusht të gjithë të korruptuarit dhe të pasuruarit në kurriz të qytetarëve, me shpërdorimin e taksave të tyre dhe buxhetit të shtetit të Kosovës duke bojkotuar punën në komisioni, për ta finalizuar dhe miratuar Ligjin Byrosë Shtetërore, mbi verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të fituar me korrupsion e krim të organizuar.

 

Siç duket opozitës së inkriminuar nuk i mjaftojnë insinuatat politike dhe kërcënimet e hapura për sulme ushtarake të Serbisë kundër Kosovës, të cilat kohëve të fundit po inskenohen shumë shpesh, por kanë vendosur që ti heqin tërësisht maskat dhe ti shpallin luftë publike qeverisë së Kosovës. Madje sinkronizimi i kundërvënies së opozitës së inkriminuar po vazhdon edhe kundër Vettingut dhe reformave në sistemin e sundimit të ligjit, të iniciuar nga Ministrja e drejtësisë, për ta penguar me çdo mjet, pastrimin drejtësisë nga strukturat e parapolitikës së SHIK-ut dhe nëntokës kriminale. Fakti që opozita ka vendosur që të paktën deri në fillim të vjeshtës, të barrikadohet kundër reformave në drejtësi, e dëshmon më së miri, bojkotimi i pjesëmarrjes së saj në grupin punues për Shqyrtimin e Projektligjit të Byrosë Shtetërore, mbi verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i cili e ka kaluar leximin e parë në Kuvend dhe është në procedurë për lexim të dytë, për finalizim dhe vënien komplet të tij, në dispozicion, për zbatim nga sistemi i drejtësisë së Kosovës. Madje Komisioni për Legjislacion në mbledhjen e fundit, të para përfundimit të sesionit pranveror, e ka themeluar edhe grupin punues për Projektligjin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, por opozita, për ta penguar miratimin e tij, e ka bojkotuar pjesëmarrjen në këtë grup, duke kërkuar, pa asnjë arsye bindëse, që Projektligji serish t’i kthehet Qeverisë për rishkrim, që nga fillimi.  Kjo kërkesë absurde e opozitës, me të drejtë është cilësuar tërësisht hileqare nga deputetët e koalicionit dhe vet Qeveria e Kosovës, kërkesë e cila qëllim të vetëm, ka prolongimin e kotë, për sa më shumë kohë, vetëm e vetëm, që të shtyhet dhe të vonohet sa më gjatë, miratimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Me këto sjellje të papërgjegjësi, opozita e inkriminuar, po përpiqet ta pamundësojë edhe themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, nga frika e pafund që kanë, nga konfiskimi i pasurive marramendëse, të grumbulluar në format dhe mënyrat më të dyshimta. Vërejtje për Projektligjin e miratuar në lexim të parë, kanë pasur të dyja blloqet politike, pozita dhe opozita, por Ministria e drejtësisë është zotuar se gjatë fazës së punës në grupin punues deri në lexim të dytë, do të shqyrtohet me kujdes çdo vërejtje dhe do të veprohet vetëm sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, mendimin e të cilit e ka kërkuar edhe vet opozita dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Prandaj është obligim i Kuvendit të Kosovës, si dhe vet grupit punues të themeluar nga Komisioni legjislativ që Rekomandimet e Komisionit të Venecias të adresohen një për një, ndërsa Ministria e Drejtësisë të jetë pjesë aktive e procesit të shqyrtimit të Projektligjit dhe adresimit të këtyre rekomandimeve, në mënyrë që finalizimi i këtij ligji, të jetë plotësisht, konform me standardet e BE-së. Dhe zbatimi me sukses i këtij ligji, do të bënte që Kosova të jetë shembull në rajon, se si funksionon një mekanizëm i konfiskimit civil dhe se si pasuria që nuk mund të justifikohet, përfundimisht, i kthehet shtetit. Ndaj pikërisht ky fakt, ka bërë që ish pushtetarët, të përpiqen ta pengojnë leximin e dytë dhe miratimin e tij në Kuvend, nga frika se  ata për dy dekada dekada, sa kanë qëndruar në pushtet që janë pasuruar në të gjitha mënyrat e mundshme të korruptimit dhe krimit të organizuar, duke krijuar pasuri marramendësi shumë milionëshe e miliardëshe, të cilën tani nuk kanë se si ta arsyetojnë, për ta mbrojtur dhe arsyetuar ligjërisht, ndaj për të blerë kohë dhe prolonguar sa më gjatë, me shpresën se do të rrëzohet kjo qeveri dhe ata do të shpëtojnë nga konfiskimi i pasurisë së paligjshme, kanë zgjedhur të mos bashkëpunojnë në komision, bojkotojnë leximin e dytë dhe pamundësojnë miratimin e këtij ligji në Kuvend.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".