Takimet Rama - Vuqiq japin rezultat: Mbi 200 mijë turistë serbë e vizituan Shqipërinë

  • A.P /
  • 16 August 2022 - 19:41
Takimet Rama - Vuqiq japin rezultat: Mbi 200 mijë turistë serbë e vizituan Shqipërinë

Shqipëria përditë e më tepër po bëhet atraksioni kryesor turistik në Ballkan, me bregdetin e Adriatikut dhe Jonit që po vizitohet nga më shumë turistë të huaj se kurrë më parë.

Njëjtë ka ndodhur edhe me turistët serbë, të cilët vitin që shkoi e vizituan Shqipërinë në numra rekord.

Konsiderohet se më 2021, Shqipërinë e kanë vizituar mbi 200 mijë turistë nga Serbia.

Në një sondazh të përgatitur nga albanija.rs, 97% të këtyre turistëve thonë se gjatë kohës së tyre në Shqipëri ata ndiheshin plotësisht të sigurt.

Më tej, 90% thonë se do t’ua rekomandonin miqve të tyre t’i kalonin pushimet në Shqipëri.

Që Shqipëria ka rritje të numrit të turistëve të huaj, sidomos këtë vit, këtë e tha edhe vetë kryeministri Edi Rama.

Rama u shpreh se në muajin qershor ka pasur rritje të turistëve për 45% në Shqipëri pa përfshirë shtetasit kosovarë.

Ai tha: “Ne kishim një turizëm të brendshëm dhe një industri inekzistente turistike që mbahej në këmbë vetëm dhe ekzluzivisht nga motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë… Unë kam marrë shifrat e këtij viti që flasin më qartë sesa çdo fjalim për vizitorët e huaj, duke përjashtuar vizitorët nga Kosova, të cilët tanimë hynë të pa regjistruar për shkak se kemi hapur kufirin që nga 1 qershori dhe hyrja nga Kosova është si hyrje nga Shkodra për në Vlorë, njësoj.”

“Në qershor kemi pasur 604 mijë turistë, përfshirë dhe turistët nga Kosova. Sot kemi 876 mijë turistë të huaj, pasaporta të huaja, as të Shqipërisë, as të Kosovës, 45% qershori”, tha Rama.

Ndërsa duke dhënë shifrat për muajin korrik, Rama u shpreh se kanë hyrë 1.4 milionë të huaj, sërish pa përfshirë personat me pasaportë të Kosovës.

(Kosova Sot Online)