Çmimi i vezës rritet 30% në këtë shtet

  • E.K /
  • 17 August 2022 - 11:04
Çmimi i vezës rritet 30% në këtë shtet

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kinë çmimi i vezëve është rritur ndjeshëm.

Ulja e prodhimit ka çuar në një rritje prej rreth 30% të çmimit të vezëve në Hefei, kryeqyteti i provincës Anhui.

Rritje të ngjashme janë vënë re edhe në shumë krahina.

Shkak i rritjes së çmimit të vezëve janë temperaturat e larta, pasi vapa e madhe ka ndikuar që pulat të bëjnë më pak vezë se zakonisht.

Edhe pse valët e të nxehtit janë të zakonshme në Kinë, veçanërisht në perëndim dhe jug të vendit, sipas shkencëtarëve vitet e fundit valët e të nxehtit kanë qenë më intensive për shkak të ndryshimeve klimatike, raporton abcnews.al.

Sipas medieve lokale në qytetin kinez, Hefei, 900 kilometra në jug të Pekinit, fermerët e shpendëve kanë vënë re një rënie të prodhimit të vezëve për shkak të temperaturave të larta.

Ndër të tjera disa fermerë u detyruan të instalonin kondicionerë në fermat e tyre për të mbajtur ambientin në temperatura normale, në mënyrë që pulat të bëjnë sa më shumë vezë.

Ndërkohë në vendin tonë çmimi i vezës ka tejkaluar pikun më të shtrenjtë që është shënuar në fund të muajit mars, ku për shkak të ngordhjes së pulave nga influenca aviare një kokërr vezë në dyqanet e pakicës arriti 24 lekë.

Dyqanet ushqimore thonë se janë paralajmëruar nga furnitorët e tyre se çmimi i vezës pritet të arrijë në 40 lekë për kokërr, për shkak të mungesës së prodhimit.

Arsyet e rritjes së çmimit sipas ekspertëve të tregut janë mungesa e prodhimit për shkak të ngordhjes së pulave nga influenca aviare e muajit mars dhe pamundësisë financiare të operatorëve për të zëvendësuar pulat, si dhe të rritjes së çmimit të vezës së importit.

(Kosova Sot Online)