Flet Kastrati: Policia e Serbisë priti udhëzime nga Beogradi pastaj më thanë nuk i njohim dokumentet e Kosovës

  • E.K /
  • 17 August 2022 - 15:13
Flet Kastrati: Policia e Serbisë priti udhëzime nga Beogradi pastaj më thanë nuk i njohim dokumentet e Kosovës

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, në një bisedë ka treguar në detaje se si është marrë në pyetje nga autoritetet serbe në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, me 13 gusht. Ai është mbajtur në stacion rreth 1 orë e gjysmë, ku është pyetur kryesisht për tema politike dhe politikanë, e në veçanti për figurat e UÇK-së. Kastrati thotë se ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve pa praninë e një avokati mbrojtës. Ai më pas është liruar dhe i është thënë që të kthehet në Kosovë, duke iu mohuar udhëtimi për në Vjenë.

Me të hyrë në Kosovë, Kastrati rastin e ka raportuar tek organet e rendit. Teksa, nesër ai detyrohet që të udhëtojë përmes Kukësit.

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se kjo gjë ishte shumë stresuese.

“Për mua ka qenë më e lehtë duke pas parasysh përvojën, por është diçka shumë stresuese, edhe u mundojsha me mendu çka ju ndodh të tjerëve. Nëse të marrin në pyetje njerëz pa unifroma, kërkojnë me ndal telefonin, nëse përgjegjësi i linjës së autobusit “Bici Com”, të len aty. Veç e paramendojsha çka mundet mi ndodh një vajze të re apo djali të ri në ato pikat kufitare. Është diçka e tmerrshme dhe prej përvojës që kryetar i Kamenicës kam dëgju që në mënyrë të vazhdueshme Serbia e ka një qasje të tillë, sidmos ndaj figurave publike, ose atyre të UÇK-së”, tha Kastrati.

Kastrati tha se ka insistuar të dijë se kush janë personat që po e intervistojnë dhe pse po e shoqërojnë në stacion, por nuk janë përgjigjur.

“Me datën 13 gusht jam nis me autobus në linjën Prishtinë-Vjenë, edhe jem ndal në kufi për kontroll rutinore, ndërkohë kanë ardhë dy policë të cilët janë kujdes me më shoqëru mua në stacion, unë ju kam kërku me ditë arsyen….E ndërkohë ata kanë thënë që dikush ka me ardhë me të marrë në pyetje…I kam thanë që më njihet e drejta e lëvizjes dhe nuk tërhiqem, më kanë kërku me marrë bagazhin, unë kam refuzu. Ndërkohë kanë ardhë disa persona civil ku kanë kërku me mbyll telefonin”, tha më tej Kastrati.

Ai është pyetur kryesisht për tema politike, teksa Kastrati shton se ka insistuar që të mos merret në pyetje pa praninë e një avokati mbrojtës.

“Më kanë pyet për tema politike. Kam kërku që kam të drejt me pas një avokat dhe duhet me u prezentu se kush jeni, sepse jeni pa uniforma, dhe nuk kanë mujt me pas pyetje tjera sepse unë kam refuzu. Ata lejshin me qëndru aty, pas 30 minutash se thojshin jemi tu pritë leje prej Beogradit, pas 30 minutash u mundojshin prap me hap një temë, nëse ke ndërru mendje dhe dëshiron me folë diçka”, shtoi ai.

“Qëllimi sipas meje ka qenë me kanë të figurat politike qëndrore, e në veçanti te figurat e UÇK-së”, shtoi ai.

Pas rreth një orë e gjysmë qëndrimi në kufi, Kastratit i është thënë që të kthehet prapa në Kosovë duke ia dhënë me vete një dokument.

“Në fund tha qikjo është letra dhe këtu e ki arsyen pse nuk mundesh me vazhdu se më kërkuan me u kthy prapa në Kosovë, ishte në alfabetin cirilik, nuk e njofta gjuhën dhe e mora si të mirëqenë.Ndërkohë erdha me raportu në organet e sigurisë në Kosovë, më njoftuan që ky është dokumenti që ua lëshojnë për me udhëtu… Dokumenti ke që nuk i njohin dokumentet e Republikës së Kosovës”, tha Kastrati.

“Unë jam në Kosovë ka me udhëtu nesër përmes Kukësit”, bëri të ditur Kastrati.

Ai u bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Institucioneve të Kosovës që të ndërprehet ky presion.

“Thirrje institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtarë që duhet me u ndërpre ky presion i vazhdueshëm se i shkelë të drejtat e njeriut, nuk kanë nevojë njerëzit me përjetu situata të tilla. I kisha bë thirrje organeve të shtetit që me u kujdes edhe për kompanitë e transportit sepse nuk guxojnë me i leju që të mbesin qytetarët në rrugë, e në veçanti në Serbi”, tha ai.

Gjatë ditës, KMDLNJtha njoftoi se Kastrati u mor në pyetje kryesisht për aktivitetin e tij politik dhe për figurat politike të Gjilanit dhe Kamenices, “nëse personalisht e njeh Fatmir Limajn, arsyet pse ishte larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse mendon që përsëri të kandidojë për kryetar të Kamenicës”.

(Kosova Sot Online)