Hetimet e prokurorisë me leje ndërtimi në Brezovicë, shembulli si duhet vepruar kundër politikanëve të korruptuar

Hetimet e prokurorisë me leje ndërtimi në Brezovicë, shembulli si duhet vepruar kundër politikanëve të korruptuar

Gani Qarri

  • 17 August 2022 - 07:29

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

 Aksioni në vijim i Prokurorisë Themelore të Ferizajt është model shembull, në nivel vendi, i cili duhet tu shërbejë prokurorive anë e këndë Republikës së Kosovës, se si veprohet në luftën kundër krimit të organizuar, jo vetëm të Prokurorisë Themelores por para së gjithash, Prokurorisë Speciale, e cila është krijuar dhe e mandatuar me detyra specifike të hetimit, të kokave kryesore të politikes, për përfshirjen e tyre në krim të organizuar ,siç po dëshmohet edhe me ndërtimet kundërligjore në rastin e Brezovicës!

 Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ajo edhe këtë javë, vijon me aksionin hetimor në këtë zonë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave në zonën e Brezovicës. Kjo zonë e mbrojtur e parkut kombëtar, është shkatërruar pikërisht nga bosët e skenës politike, me ndërtime të kundërligjshme, të cilët janë mësuar të qëndrojnë mbi ligjin dhe vet shtetin e së drejtës, duke e abuzuar edhe pozitat e larta dhe pushtetin, individ të fuqishëm, oligarkë jashtë institucional dhe të ashtuquajturit të fortit e politikës.

Qëllimi i këtij operacioni është identifikimi i autorëve të ndërtimit të të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar në Brezovicë, zonat ku janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore të organeve legjitime të Kosovës, si dhe a janë ngritur në pajtim me ligjet e shtetit tonë. Ky aksion është vijimësi e aksioneve të mëhershme në zonën e Brezovicës për shkak të ndërtimeve skandaloze të ish udhëheqëse kryesor të shtetit dhe shokëve të tyre, me leje të organeve paralele të Serbisë, në zonën e mbrojtur të parkut kombëtar, kundër ligjeve të Kosovës, aferë e rëndë antiligjore e cila pritet ti godas në kokë, shumë figura të rëndësishme nga jeta publike dhe politike në Kosovë. Zbarkimi i parë i Prokurorisë së Ferizajt në rajonin e komunës së Shtërpcës, për ta hetuar mega skandalin në parkun kombëtar të Brezovicës, ka filluar më 21 dhjetor të vitit 2021 dhe vetëm nga aksioni i parë, janë arrestuar mese 10 persona. Kurse aksioni i dytë ka vijuar më 6 janar të këtij viti, në të cilin qenë arrestuar edhe 7 persona tjerë, dy prej tyre zyrtarë të vet Ministrisë së Mjedisit.

Edhe më aksionin e radhës të zhvilluar më 3 mars, u arrestuan shtatë persona, nën dyshimin për lëshimin e lejeve kundërligjore për ndërtime në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Sharri”, të zonës së Brezovicës. Ndërsa aksioni i pasues ishte zhvilluar më 16 mars të po këtij viti dhe nga bastisja e shtatë lokacioneve të ndryshme në komunën e Shtërpcës u arrestuan edhe dy persona të tjerë. Të gjithë të arrestuarit, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie të kundërligjshme të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit, prandaj lidhur me rastin në fjalë, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, deri më tani kanë arrestuar 30 persona, përfshi edhe ish-kryetarin e komunës së Shtërpcës, mikun e Hashim Thaçit, Bratislav Nikoliç, me akuzën se ka përfituar deri në një milion euro nga lejet e lëshuara, ish udhëheqësve kryesor të partive politike dhe shtetit të Kosovës, për ndërtimin e kundërligjshëm të objekteve në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar në Brezovicë. Madje përderisa në media është raportuar se disa nga politikanët dhe ish-udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës kanë toka dhe shtëpi banimi të ndërtuara kundërligjshëm në Parkun Kombëtar në Brezovicë, çuditërisht deri më tani është arrestuar vetëm Bratisllav Nikoliçi dhe disa zyrtarë tjerë të kësaj komune, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, e pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore. Por jo edhe ata që shkelën me vetëdije ligjet e shtetit dhe ndërtuan kundërligjshëm në këtë zonë të ndaluar për ndërtime të parkut kombëtar, ku figurojnë vet ish-presidenti i shtetit, Hashim Thaçi,i cili është dëshmuar nga Prokuroria se ka në pronësi një vilë në Brezovicë, ndërsa në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 2020, ai ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët, një tokë bujqësore dhe dy shtëpi.

E ajo që habit shumë qytetarët dhe mbarë opinionin publik të Kosovës, është fakti se Hashim Thaçi nuk është ish-presidenti i vetëm që ka pasuri të pa luajtshme në Brezovicë, por edhe paraardhësja e tij, ish presidentja Atifete Jahjaga, posedon një vilë në Brezovicë, e që megjithatë më 2015, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ajo nuk ka deklaruar të ketë pronë në Brezovicë. Informatat e Prokurorisë dëshmojnë se edhe kreu aktual i PDK-së, Memli Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri posedojnë vila të ndërtuara kundërligjshëm në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë.

Përderisa Memli Krasniqi kishte deklaruar vetëm një shtëpi dhe apartament, Abelard Tahiri, në deklarimin e fundit të pasurisë, vetëm ka thënë, se ka një shtëpi malore, pa specifikuar vendin as lokacionin, si dhe një shtëpi banimi dhe lokal afarist, në pronësi të përbashkët, Vilë në Brezovicë, sipas informatave të mediumit, ka edhe Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës. Ndërsa, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për dallim nga kolegët e tij, në pronësi të tij, ka një parcelë toke në Brezovicë i cili në AKK kishte deklaruar se ka në pronësi të përbashkët, një tokë kodrinore në vlerën prej 75 mijë eurosh, si dhe një truall në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove. Sa u takon vilave të kundërligjshme të ngritura në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar në Brezovicë, nuk kanë ngelur prapa as kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, si dhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Por z. Çollaku, në deklarimin e fundit të bërë në AKK ka thënë se ka një parcelë prej 700 metrave katrorë me shtëpiza në ndërtim, në pronësi të përbashkët,ndërsa Limaj ka të deklaruar vetëm një truall, si pronësi të përbashkët familjare.

Vila në Brezovicë posedojnë edhe ish-krye diplomati i Kosovës Enver Hoxhaj dhe ish-ministri i Arsimit në Qeverinë Thaçi, Arsim Bajrami,përderisa shtëpi në fshatin turistik të Brezovicës posedon edhe vet prokurorja e shtetit, Laura Pula!? Kurse majën e gjithë këtij skandali të kundërligjshëm, duket t`ia ketë zënë Veton Surroi i cili ka edhe një hotel në bashkë-pronësi, në Parkun Kombëtar të “Sharrit”! Për aq më tepër Surroi është edhe aksionar në kompaninë “Stella Consulting”, e cila dyshohet se fitoi po ashtu, jashtëligjshëm lejen ndërtimore për ndërtimin e objektit afarist në Brezovicë. Prandaj, përderisa Prokuroria e Ferizajt ka grumbulluar prova dhe dëshmi të mjaftueshme për të gjithë ish pushtetarët të cilët, megjithëse vet ishin në pushtet, ata kanë shkelur me të dy këmbët ligjet e shtetit të Kosovës, epilogu i skandalit të madh Brezovica, pritet të jetë fatal për shumicën e ish kokave të politikës të cilët kanë përfituar atje kundërligjshëm. Dhe nëse vërtetë Prokuroria vepron e pa ndikuar e me guxim për ta zbardhur deri në fund, tërë lidhjen mafioze të jakave të bardha, të gjithë të apostrofuarit e zhytur në këtë aferë të krimit të organizuar, përfundimisht duhet të përfundojnë në burg dhe bashkohen bashkë ortakut të tyre Bratisllav Nikoligjit në qeli, ngase skandalin në fjalë ai nuk e ka bërë i vetëm, por bashkë me të gjithë ata.

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".