Rakiç i Listës Serbe paralajmëron trazira nga Beogradi

  • A.P /
  • 17 August 2022 - 23:02
Rakiç i Listës Serbe paralajmëron trazira nga Beogradi

Para takimit të ardhshëm të Vuçiqit me Kurtin në Bruksel, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe drejtorin e të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, Peter Petkoviq si dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, mbajtën një konferencë për media në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë në Beograd.

I pari që iu drejtua mediave ishte Rakiq, i cili zbuloi se së bashku me kryetarët e komunave nga veriu është takuar me ambasadorët e vendeve të KUINT-it.

Ai ka thënë se ka pasur një marrëveshje, me sugjerim dhe iniciativë të ambasadorëve të KUINT-it që takimi të mos jetë i hapur për publikun dhe të mos bëhet asnjë njoftim për këtë.

Mirëpo, siç thotë ai, për shkak të “peshës dhe seriozitetit të mesazheve” që kanë marrë, liderët e Listës Serbe kanë pasur “përgjegjësi morale, politike dhe çdo lloj përgjegjësie tjetër” për të informuar qytetarët e Kosovës dhe opinionin e gjerë në lidhje me bisedimet.

Ai ka thënë se takimi ka zgjatur më shumë se dy orë, dhe kryetarët i kanë njoftuar ambasadorët për problemet që kanë, secili në komunat e tyre.

Në anën tjetër, ai pohon se mesazhet kryesore të përfaqësuesve të shteteve të KUINT-it ishin – që vendet e tyre mbështesin pavarësinë e Kosovës, por edhe se absolutisht i mbështesin vendimet e marra nga Prishtina dhe posaçërisht nënvizuan se ata mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe futjen e “një lloj dokumenti hyrje-dalje” që do t’u lëshohet serbëve me hyrjen ose daljen nga Kosova.

“Thonë se Prishtina e ka bërë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe se gjithçka është dakorduar, ne nuk jemi pajtuar me ta dhe kemi thënë se kjo nuk është dakorduar me marrëveshjen e Brukselit”, pretendon Rakiq.

Ai gjithashtu ka thënë se përfaqësuesit e KUINT-t u bënë thirrje atyre që të pranojnë realitetin.

“Ata na bëjnë thirrje që, si ne ashtu edhe serbët në veri ta pranojmë realitetin në terren – që Kosova është e pavarur”, ka thënë ai.

“Asnjë serb nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka pretenduar Rakiq i cili e mban pozitën e ministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës ku edhe e merr pagën.

“Ne i kemi sytë kah Brukseli dhe presidenti ynë Aleksandar Vuçiq dhe po shikojmë në tryezën e Brukselit dhe për ne kjo nuk është punë e kryer dhe nuk do të jetë kurrë. Ata si përfaqësues të shteteve mund ta mbështesin Kosovën dhe të marrin vendime në favor të tyre dhe ta mbështesin në çdo kuptim, por për ne që jetojmë atje, veçanërisht në veri, kjo është e papranueshme”, ka thënë kryetari i Listës Serbe.

Rakiq ka pretenduar se veprimet e njëanshme të Kosovës ngjallin reagime nga serbët, por ai gjithashtu ka thënë se “të drejtat e fituara të serbëve” nuk mund t’i hiqen askund në botë përveçse në mënyrë të paligjshme dhe me dhunë.

“Ata kanë forcë, kanë ligje, mund të përpiqen ta bëjnë këtë me dhunë, mund të ndryshojnë ligje. Ata mund të marrin disa vendime me dhunë, por të jeni të sigurt se ne nuk do të marrim pjesë në këtë dhe nuk do të mbështesim veprimet e tilla të njëanshme, veçanërisht nëse dikush na heq targat dhe letërnjoftimet”, ka pretenduar Rakiq.

“Do të nënvizoj edhe një herë. Serbët e veriut nuk do ta pranojnë kurrë, nuk do ta mbështesin kurrë. Ata nuk njohin as vendimet e tyre të njëanshme dhe as pavarësinë e tyre. E vetmja gjë në të cilën ata besojnë është se një zgjidhje do të gjendet në Bruksel dhe se presidenti Vuçiq do të gjejë një zgjidhje për ne që jetojmë atje”, shpreson Rakiq.

Edhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës janë shprehur qartë se nuk do t’i pranojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat dhe letërnjoftimet që pritet të jetësohet më 1 shtator.

(Kosova Sot Online)