Arrestohet e pastaj lirohet shitësi ambulant në Pejë

  • A.P /
  • 17 August 2022 - 22:52
Arrestohet e pastaj lirohet shitësi ambulant në Pejë

Organet e rendit të martën kanë bastisur tezgën e një shitësi ambulant në Çarshinë e Gjatë në Pejë. Arrestohet e më pas lirohet me procedurë të rregullt shitësi.

Shesin produkte të ndryshme.

Mirëpo njëra nga tezgat e shitësve ambulant në Çarshinë e Gjatë në Pejë po ofronte për shitje diçka të paligjshme.

Krejt kjo ndërhyrje e Policisë së Kosovës rezultoi me arrestimin e shitësit dhe sekuestrimin e hiç më pa se 105 mjeteve të mprehta të llojeve të ndryshme, tri shufrave metalike, 11 boksave të hekurt, 4 sprejve e një elektroshoku.

Pas arrestimit, policia ka njoftuar se shitësi është liruar në procedurë të rregullt.

Të dyshuarin për këtë rast e njohin edhe qytetarët.

Ata pohojnë se gjatë së martës shitësi vazhdonte qëndrimin këtu dhe shiste pa asnjë pengesë produktet e tij.

Që vazhdimisht shiten pa asnjë ndalesë armë të tilla këtu e thonë vetë banorët.

Por ata kërkojnë kontroll të shtuar nga organet e rendit.

Që janë shitur armë e pohon edhe zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zeka.

Zeka tregon që një pjesë e shitësve ambulant qëndrojnë aty me marrëveshje.

Komuna e Pejës ka propozuar dy lokacione për vendosjen e shitësve ambulantë mirëpo tregtarët nuk kanë pranuar.

Megjithatë, kjo nuk nënkupton se në këto lokacione të propozuara lejohet shitja e produkteve të rrezikshme.

(Kosova Sot Online)