Si u bë që Përparim Kryeziut t’i dalë “Kosovë e Metohi” në komunikatë?

  • E.K /
  • 18 August 2022 - 15:29
Si u bë që Përparim Kryeziut t’i dalë “Kosovë e Metohi” në komunikatë?

Përparim Kryeziu i Zyrës së Kryeministrit, që në vend të zëdhënësit të Qeverisë shpesh bën gjykuesin e mediave, dje ka lëshuar një njoftim, ku Petar Petkoviq përshkruhet si shef i Zyrës për “Kosovë e Metohi”. As më shumë as më pak, njoftimi i tillë u shërnda nga Qeveria e Kosovës, i cili më vonë kur u publikua në faqen e kryeministrit, u përmirësua duke iu shtuar fjala e “ashtuquajtur”.  Një lëshim të tillë nga gazetarët, zyra e Kryeministrit Kurti e kishte përdorur për t’i linçuar ata.

Përparim Kryeziu, me titull zëdhënës i Qeverisë, është i njohur sidomos për moskryerje të detyrës së tij.

Kryeziu, që paguhet nga shteti, pak e hiç kryen përgjegjësitë  e tij, është i njohur për bojkotim të mediave që partia e tij s’i parapëlqen. Në vend të kësaj ai ka kohë të mjaftueshme, për të shpërndarë qëndrime të tij politike në rrjetet sociale. Mediat, të cilave ai nuk u kthen përgjigje siç ia kërkon detyra, i sulmon me postime në Facebook.

Gjah i preferuar i tij janë gabimet teknike në media për të cilat nga Qeveria s’ka kompromis, duke i paraqitur si qëndrim ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.

Dje, Zyra për Media e Kryeministrisë, të cilën e udhëheq Kryeziu, ka lëshuar një komunikatë për intervistën e Kryeministri Albin Kurti në BBC-në serbisht.

ZKM-ja e kishte çuar artikullin e përkthyer në shqip, ndërsa pozita e zyrtarit serb, Petar Petkoviq, ishte përshkruar si shef i Zyrës për “Kosovë dhe Metohi” të Qeverisë së Serbisë”.

Shkëputur nga emaili i ZKM-së dërguar mediave

Zyra për Media nuk është deklaruar rreth kësaj, por pas raportimit të mediave, në faqen zyrtare të Kryeministrisë e kanë publikuar artikullin e redaktuar. Aty është hequr emërtimi i Petkoviqit.

Nuk janë deklaruar as kolegët partiakë të Kryeziut, të cilët bëjnë roje të mediave, për t’i sulmuar në rrjete sociale. 

(Kosova Sot Online)