Shqiptari dështon dy herë ‘me sukses’ brenda natës, ‘tersi’ e ndjek nga pas

  • E.K /
  • 23 August 2022 - 08:18
Shqiptari dështon dy herë ‘me sukses’ brenda natës, ‘tersi’ e ndjek nga pas

Dy grabitje të dështuara në një natë… Një 40-vjeçar shqiptar u bë protagonist i dy ngjarjeve të pazakonta në Brescia të Italisë, pasi tentoi të kryente dy grabitje dhe të dyja herët dështoi me sukses.

Gjithçka nisi mbrëmjen e së dielës, kur 40-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, fillimisht vodhi makinën e një turisti gjerman. Por rrugës diçka nuk shkoi mirë dhe u aksidentua. E braktisi mjetin dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Megjithatë nuk u mjaftua me kaq. Disa minuta më vonë tentoi një tjetër grabitje, këtë herë në një shtëpi. Siç duket në këtë rast harroi që bëhej fjalë për grabitje dhe nisi të bënte shumë zhurmë, aq sa zgjoi të zotin e shtëpisë… Ky i fundit e gjeti 40-vjeçarin duke lëvizur nëpër dhomat e shtëpisë. Nuk e pati të vështirë ta mbyllte brenda dhe njoftoi policinë.

Pak minuta u deshën që të mbërrinin karabinierët. Po aq pak kohë u desh po ashtu që ta identifikonin nga dëshmitarët si personin e njëjtë që kishte vjedhur, e aksidentuar, makinën e gjermanit. E duke qenë se shqiptari ndodhej në Itali pa dokumente, mediat fqinje shkruajnë se orë në vazhdim ai pritet të deportohet drejt vendlindjes.

(Kosova Sot Online)