A mund të ketë qeveri të re pa zgjedhje në Mal te Zi dhe kush do ta formojë atë

  • E.K /
  • 23 August 2022 - 08:33
A mund të ketë qeveri të re pa zgjedhje në Mal te Zi dhe kush do ta formojë atë

Pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq në Mal të Zi, disa subjekte politike kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa të tjera shqyrtojnë formimin e Qeverisë së re.

Për këtë të fundit ka disa opsione – nga një qeveri partiake me një program konkret politik deri te një qeveri kalimtare, detyrë e së cilës do të ishte organizimi i zgjedhjeve.

Formimi i një qeverie të re është opsion më real se zgjedhjet e reja, ndonëse të gjitha kombinimet që aktualisht janë në lojë, duken të vështira për t’u arritur, thotë për Radion Evropa e Lirë aktivisti dhe kolumnisti malazez, Stefan Gjukiq.

“Më reale është të formohet një qeveri e re, sado e pamundur të duket tani”, thotë ai.

Më 20 gusht, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë së Abazoviqit.

Për këtë mocion kanë votuar 50 nga gjithsejtë 81 deputetët.

Qeveria e Abazoviqit do të funksionojë me mandat teknik deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Kush me kë do të formonte Qeverinë e re?

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila ka iniciuar rënien e Qeverisë së Abazoviqit, ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“Pas dy eksperimenteve të këqija nga viti 2020 [Qeveria e ekspertëve dhe Qeveria e pakicës], do të duhet të biem dakord se kush do t’i përgatisë këto zgjedhje, për të siguruar përfundimisht një qeveri evropiane”, kanë thënë nga DPS-ja, duke shtuar se janë të gatshëm për një dialog konstruktiv me të gjitha partitë parlamentare.

Fronti Demokratik pro-serb (DF) pret që partitë e shumicës parlamentare, të dala nga zgjedhjet e gushtit 2020, të arrijnë marrëveshje për formimin e Qeverisë së re.

Shumica e atëhershme parlamentare është përbërë nga partitë e mbledhura rreth DF-së, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit dhe Partia Popullore Socialiste (SNP).

Ata kanë mposhtur DPS-në vetëm me një mandat më shumë në Kuvend, duke formuar Qeverinë e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq në dhjetor të vitit 2020.

Kjo Qeveri ka funksionuar deri në shkurt të këtij viti, kur është rrëzuar me iniciativën e zëvendëskryeministrit të atëhershëm, Dritan Abazoviq.

Megjithatë, midis URA-s dhe SNP-së në njërën anë dhe Demokratëve në anën tjetër është hapur një konflikt i ashpër politik, për shkak se Demokratët kanë votuar për rënien e Qeverisë së Abazoviqit.

Para votimit të mosbesimit në Kuvend, Abazoviq ka porositur ish-partnerët e tij që “të mos e thërrasin në tryezën e bisedimeve” pas përmbysjes së Qeverisë së tij.

Në opinion janë publikuar një sërë komunikatash, përmes të cilave këto parti akuzojnë njëra-tjetrën për tradhti, për bashkëpunim me DPS-në dhe hedhin poshtë mundësinë për të rënë dakord për krijimin e një qeverie të re.

Partitë më të vogla parlamentare, në anën tjetër, kërkojnë marrëveshje urgjente për datën e zgjedhjeve dhe për Qeverinë që do t’i përgatiste ato.

Qeveria kalimtare si opsion

Kryetari i Shoqatës së Avokatëve të Malit të Zi, Branisllav Radulloviq, thotë se pas rënies së Qeverisë së Abazoviqit, në tavolinë janë dy opsione të mundshme – që Qeveria e Abazoviqit të vazhdojë të funksionojë me mandat teknik deri në zgjedhjet e reja ose të formohet një qeveri kalimtare.

“Shtrohet pyetja nëse shumica parlamentare që ka votuar mosbesimin ndaj Qeverisë ekzistuese do të lejojë që mandatari me mandat teknik dhe zëvendëskryeministri nga ky pozicion të shkojnë në zgjedhje… apo do të pranojnë të formojnë një qeveri neutrale, e cila do të mundësonte që të gjitha subjektet të jenë të barabarta në procesin zgjedhor”, thotë Radulloviq.

Qeveria e Abazoviqit është rrëzuar nga DPS-ja e Gjukanoviqit, Demokratët opozitarë të Aleksa Beçiqit, disa parti më të vogla qytetare dhe disa parti të pakicave.

Kryetari i Shoqatës së Avokatëve të Malit të Zi, Branisllav Radulloviq.

Radulloviq thotë se qeveria teknike me siguri do të kishte mbështetjen e dy të tretave të deputetëve, por nuk do të përfshinte liderët e partive.

“Ajo qeveri nuk do të ishte një qeveri klasike, programore. Të gjitha partitë do të delegonin në të një numër të caktuar ministrash, teknokratë partiakë, me kryeministër neutral. Ajo qeveri do ta mbante sistemin funksional, do të siguronte neutralitetin e zgjedhjeve. Do t’i krijonte kushtet që Qeveria e ardhshme të jetë e qëndrueshme, programore, dhe ta çojë Malin e Zi në Bashkimin Evropian”, thotë Radulloviq.

Mbledhja e shumicës së vjetër në Qeverinë e re nuk është reale

Gjukiq thotë se është joreale të pritet formimi i një shumice të re – të vjetër, e cila do të përbëhej nga fituesit e zgjedhjeve të gushtit 2020: DF, Demokratët dhe URA.

“Udhëheqësit janë shumë mendjemëdhenj dhe kjo shihet përmes lëvizjeve politike hakmarrëse në marrëdhëniet midis Demokratëve dhe URA-s. Fillimisht, URA ka iniciuar largimin e udhëheqësit të Demokratëve, Aleksa Beçiq, nga posti i kryetarit të Kuvendit, dhe tani Demokratët po hakmerren me mosbesimin ndaj Qeverisë së Abazoviqit”, thotë Gjukiq.

Aktivisti dhe kolumnisti malazez, Stefan Gjukiq.

Partnerët perëndimorë presin zgjidhje të krizës

Nga të gjitha adresat e rëndësishme ndërkombëtare janë dërguar mesazhe për tejkalimin e krizës ekzistuese politike në Mal të Zi.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Picula, ka thënë se politika malazeze duhet të vendosë nëse do të vazhdojë në drejtim të integrimit evropian apo do të bëhet “mall shpenzues” i interesave ruse dhe serbe në rajon.

“Qytetarët e Malit të Zi vazhdojnë të mbështesin qartazi anëtarësimin në BE, gjë që duhet të marrë mbështetje në zgjedhje… Një Kuvend dhe një Qeveri e tillë sigurisht se do të kishin mbështetjen e Parlamentit Evropian”, ka shkruar Picula në Twitter.

Pas rënies së Qeverisë së Abazoviqit, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se nga Mali i Zi pret që të formojë shpejt një qeveri të re ose të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin pjesëmarrjen e DF-së në një qeveri të re të mundshme, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk e konsiderojnë DF-në partner, sepse ky subjekt “nuk mbështet vlerat evropiane”. /REL

(Kosova Sot Online)