E konfirmon Qeveria: S’ka takim Kurti-Escobar sot

  • E.K /
  • 23 August 2022 - 11:23
E konfirmon Qeveria: S’ka takim Kurti-Escobar sot

Emisari për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, sot pritet të arrijë në Prishtinë bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ardhjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili në një konferencë për media tha se vizita e tij në Prishtinë dhe Beograd është për vazhdim të mbështetjes së dialogut.

Megjithatë, Escobar në Prishtinë nuk do të takojë kreun e ekzekutivit, Albin Kurti. Kështu ka konfirmuar  zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Por, Escobar do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe do të ketë darkë pune me krerët e partive opozitare; kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi është i ftuar nga z. Escobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, ka konfirmuar PDK.

Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiq, në Bruksel.

Pas takimit pesëorësh, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se negociatat e asaj dite nuk rezultuan me një marrëveshje, por shpresonte se do të kishte takim tjetër, para 1 shtatorit.

Një shtatori është data, të cilën Qeveria e Kosovës e ka caktuar për hyrje në fuqi të vendimit të saj për targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia dhe lëshimit të një letre hyrje/dalje për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, ashtu siç lëshohet për kosovarët që hyjnë në Serbi.

(Kosova Sot Online)