Gruaja pësoi lëndime trupore në Ferizaj, intervistohet mirëmbajtësi i kompanisë së ashensorit

  • E.K /
  • 23 August 2022 - 14:40
Gruaja pësoi lëndime trupore në Ferizaj, intervistohet mirëmbajtësi i kompanisë së ashensorit

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka konfirmuar se është intervistuar mirëmbajtësi i kompanisë së ashensorit, pasi gruaja M.R., pësoi lëndime trupore si pasojë e lëvizjes së pakontrolluar të ashensorit në objektin “SNA” në rrugën “Gjon Serreqi” në Ferizaj.

Rasti në Policinë e Kosovës është hapur si “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe është inicuar rast në drejtim të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Po ashtu, lidhur me këtë rast, viktimës, i është marr deklarata fillestare nga ana e policisë, si dhe është intervistuar edhe mirëmbajtësi i kompanisë së ashensorit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Media raportoi dje se gruaja me inicialet M.R., kishte deklaruar në polici se ashensori ka rënë dy herë poshtë me shpejtësi të madhe.

Ndërsa policia deklaroi se qytetarja ka rënë nga kati i nëntë i ndërtesës në bodrumin e saj.

Sipas viktimës “ashensori kishte filluar me lëvizje të ç’rregullta duke rënë me shpejtësi të madhe poshtë, përsëri ashensori është ngjitur lartë dhe me shpejtësi të madhe kishte rënë poshtë”.

Si pasojë e lëvizjeve të pakontrolluara të ashensorit ajo ka deklaruar se ka pësuar “dhimbje të gjunjëve, qafës, boshtit kurrizor, si dhe trullosje deri në vjellje”, me ç’rast është detyruar të pranojë trajtim mjekësor.

(Kosova Sot Online)