Vuçiq ia kërkon Asociacionin Hillit, gënjen përsëri për njësinë speciale të Kosovës

  • E.K /
  • 23 August 2022 - 15:14
Vuçiq ia kërkon Asociacionin Hillit, gënjen përsëri për njësinë speciale të Kosovës

Në ditën kur në Kosovë do të zbarkojnë dyshja Lajcak-Escobar për takime me krerët e shtetit e liderët e opozitës, në Beograd, Vuçiqit i ka shkuar në zyrë ambasadori amerikan, Christopher Hill, e ku kanë biseduar për takimin e Brukselit dhe datën 1 shtator, datë kjo kur pritet të futet në fuqi vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Vuçiq në takim me Hill ka thënë se është e rëndësishme që Kosova t’i përmbahet marrëveshjes që “forcat speciale të Policisë së Kosovës të mos futen në veri pa pëlqimin e NATO-s dhe krerëve të komunave të banuara me shumicë serbe”.

Megjithatë, marrëveshja me NATO-n parasheh që Kosova duhet të kërkojë pëlqimin e aleancës veri-atlantike për hyrjen në veri vetëm për Forcat e Armatosura të Kosovës (FSK) dhe jo edhe për njësinë Speciale të Policisë së Kosovës.

Vuçiq gjithashtu ka kërkuar edhe implementimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe.

“Presidenti Vuçiq i ka përcjellë ambasadorit Hill se serbët që jetojnë në Kosovë kërkojnë pa kushte formimin e Unionit të Komunave Serbe”, thuhet në komunikatën e presidencës serbe.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje për këto çështje.

(Kosova Sot Online)