Fundi i përgjegjësit për vrasjen e mbi 2 mijë shqiptarëve, që Serbia e bëri hero

  • E.K /
  • 23 August 2022 - 15:35
Fundi i përgjegjësit për vrasjen e mbi 2 mijë shqiptarëve, që Serbia e bëri hero

Duke e bërë nënkryetar të Kuvendit, Serbia u riktheu në mendje shqiptarëve përgjegjësin e Brigadës, që kishte kryer krime në Rahovec e rrethinë. Bëhet fjalë për Bozhidar Deliqin, i cili vdiq sot, një muaj pasi u shpërblye me pozitë shtetërore.

Mediat në Serbi njoftojnë se ka vdekur nënkryetari i zgjedhur i Kuvendit, Bozhidar Deliq, pas një sëmundjeje “të gjatë dhe të rëndë”.

Që prej emërimit të tij, ka pasur shumë reagime në Kosovë, sepse emri i tij rikthente te krimet e kryera nga Brigada 549 e Motorizuar e Ushtrisë Serbe, e komanduar nga Bozhidar Deliq. Raportohej se trupat e vrarë të qytetarëve kishin mbetur gjithandej Rahovecit.

Reagimet për Deliqin dhe dyshimet për vrasjen e civilëve shqiptarë nuk ishin pengesë që ai të emërohej nënkryetar i Kuvendit. Më herët, gjenerali serb ishte shpërblyer me “Urdhërin e Heroit Kombëtar”, për betejën e Pashtrikut.   

Deliq, i lindur në Gjakovë, edhe më parë ishte pjesë e Kuvendit të Serbisë, disa herë përmes Partisë Radikale Serbe, të kriminelit të luftës, Vojslav Sheshel.

Para një jave, Shoqata Krimet e Luftës në Gjakovë, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër Deliqit. Ndaj tij ishte bërë edhe më herët kallëzim në Serbi, nga Fondi për të Drejtën Humanitare atje.

Sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, brigada e komanduar nga Deliq është përgjegjëse për vrasjen e mbi 2 mijë civilëve në komunat e Suharekës, Rahovecit dhe të Gjakovës

“Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi kanë bërë kallëzim ndaj Bozhidar Deliqit dhe ndaj 10 personave të tjerë për krimet e kryera më 25 mars 1999-të në Tërrnjë të Suharekës. Në territorin nën përgjegjësinë e kësaj brigade janë kryer krime të shumta. Dhe ne kemi thënë që 2 mijë njerëz janë vrarë në komunat Suharekë, Rahovec dhe Gjakovë. Por, krimi më masiv është ai i Mejës ku mbi 365 civilë shqiptarë, nga forcat serbe. Në mesin e tyre ka vepruar edhe brigada “549” “- tha Blakaj.

Bozhidar Deliq ishte pjesë e ushtrisë serbe edhe në luftërat mes Serbisë dhe republikave të tjera jugosllave. Mediat në Serbi përmendnin se ai ishte në fushëbetejë në Dubrovnik, gjatë luftës me Kroacinë.

Ai ishte dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin kundër liderit famkeq serb, Sllobodan Millosheviq dhe gjeneralit serb Vladimir Lazareviq. 

(Kosova Sot Online)