Kushtetuesja hedh poshtë edhe një referim të Pjetër Shalës lidhur me shkeljet e të drejtave themelore

  • E.K /
  • 24 August 2022 - 09:56
Kushtetuesja hedh poshtë edhe një referim të Pjetër Shalës lidhur me shkeljet e të drejtave themelore

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë edhe një referim të Pjetër Shalës, lidhur me shkeljet e të drejtave themelore.

Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, ku thuhet se vendimi është marrë më 22 gusht 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, lëshoi vendimin e saj mbi referimin e Pjetër Shalës në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave të tija themelore, dorëzuar më 19 korrik të këtij viti. Paneli konstatoi se referimi është i parakohshëm dhe rrjedhimisht e shpalli të papranueshëm në përputhje me nenin 113 (7) të Kushtetutës, nenin 49 (3) të Ligjit dhe rregullën 14 (f) të Rregullores së Punës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në këtë njoftim.

Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)