“Mos t’gjej ktu kur t’kthehna se t’vras”/ Vushtrriasi kërcënon me jetë bashkëshorten e tij, ajo kërkon ndihmën e Policisë

  • E.K /
  • 24 August 2022 - 11:34
“Mos t’gjej ktu kur t’kthehna se t’vras”/ Vushtrriasi kërcënon me jetë bashkëshorten e tij, ajo kërkon ndihmën e Policisë

Shumë gra kosovare ndajnë jetën me burra të cilët ushtrojnë dhunë psikike e fizike ndaj tyre. Ato rrezikojnë jetët e tyre duke banuar nën një çati me burra që s’hezitojnë t’i kërcënojnë edhe me jetë ato.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij.

Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka deklaruar se burri i saj teksa po dilte nga shtëpia mëngjesin e djeshëm, ka kërkuar nga ajo që të largohet nga shtëpia, në të kundërtën do ta vrasë nëse e gjen aty kur të kthehet.

Sipas saj, vazhdimisht kanë pasur probleme me bashkëshortin e saj, por që nuk e ka denoncuar më parë në Polici.

Njësitet policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes, mirëpo nuk kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, pasi që nuk dihet vendndodhja e tij.

Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’, ndërsa viktima ka shprehur dëshirën që të shkojë dhe të jetojë te familja e saj.

Kujtojmë që shumë raste të dhunës në familje kanë përfunduar tragjikisht në Kosovë, pasi thirrjet për ndihmë nga gratë hasën në vesh të shurdhër nga organet e sigurisë.

(Kosova Sot Online)