Serbët e Veriut të qarkullojnë me dokumente të Serbisë, Kurti i përgjigjet Vuçiqit

  • E.K /
  • 24 August 2022 - 15:17
Serbët e Veriut të qarkullojnë me dokumente të Serbisë, Kurti i përgjigjet Vuçiqit

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë evidentoi “disa të pavërteta” që tha se dolën para dhe pas takimit të tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq të enjten e javës së kaluar.

Kurti tha se qytetarët në Kosovë dhe Serbi po manipulohen nga Vuçiqi, i cili tha të dielën se “serbët duhet të marrin sërish vizë për të jetuar në shtëpinë e tyre”.

“Në Bruksel nuk kemi angazhim konstruktiv e as propozime konkrete të palës serbe. Në rastin më të mirë mund të thuhet që ka pasur kushtëzime për trajtim asimetrik brenda marrëveshjeve ekzistuese. Marrrëveshja e lirisë së lëvizjes nuk bazohet në etni po në gjini, por në vendin e qëndrimit. Si e tillë, ajo nuk bën dallim ndërmjet qytetarëve në veri apo në jug të vendit”, tha ai.

“Është qytetari ai që vendos se si dëshiron të trajtohet. Nëse një qytetar në vendkalimet kufitare prezanton letërnjoftim të Republikës së Kosovës, ai kërkon nga autoritetet doganore të trajtohet si qytetar i Kosovës. Nëse prezanton letërnjoftim nga Serbia, ai preferon të trajtohet si qytetar i Serbisë, rrjedhimisht, preferon të pajiset me dokumentin për hyrje-dalje”, theksoi Kurti.

Sipas kryeministrit, lëshimi i këtij dokumenti për hyrje-dalje nuk është i lidhur me asnjë privilegj apo diskriminim.

Kurti theksoi se për lëshimin e këtij dokumenti nuk kërkohen dokumente shtesë nga pala, ndërsa theksoi se ai lëshohet :për 20 sekonda” dhe se “nuk shoqërohet me pagesa për shtetin”.

“Është vetëm një letër e thjeshtë A4 pa asnjë aftësi për të cenuar fizikisht apo dëbuar mbajtësit e tyre siç po manipulohet artificialisht dhe paskrupullt opinioni publik dhe qytetarët në Kosovë dhe Serbi”, tha Kurti.

Vuçiq të dielën e quajti “çmenduri” vendimin e Kosovës për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për serbët nga Kosova.

Këtë dokument, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës qe 11 vjet dhe derivon nga Marrëveshja për lirinë e lëvizjes që palët kanë arritur në Bruksel më 2011.

(Kosova Sot Online)