Joseph: Reciprociteti është legjitim, Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asosacionin

  • G.G /
  • 24 August 2022 - 17:22
Joseph: Reciprociteti është legjitim, Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asosacionin

Profesori amerikan Edward Joseph ka folur mbi zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi.

Kur jemi në prag të afatit të hyrjes në fuqi të reciprocitetit për targa dhe letërnjoftime, vendim ky që u pezullua për një muaj nga Qeveria e Kosovës pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph ka ofruar disa perspektiva nga ana e tij, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në Twitter, Joseph ka thënë se kjo “krizë” nuk ka të bëjë me njohjen e Kosovës. Ai ka thënë se në një intervistë gjatë muajit mars, këtë e ka pranuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i cili kishte ofruar që të përfshijë deklaratën se marrëveshja për reciprocitet nuk do të thotë se Serbia e njeh Kosovës.

Tutje, Joseph ka folur edhe për bujën e madhe që iu dha në media tensioneve në veri.

“Kosova tashmë mbledh të hyra doganore dhe menaxhon kufijtë, pra pse kaq bujë e madhe? Rreth 90% e serbëve të Kosovës, ne veri dhe në jug, posedojnë dokumente zyrtare të lëshuara nga Republika e Kosovës, sipas serbëve të Kosovës. Greqia nuk e njeh Kosovën, e megjithatë pranon targat RKS dhe dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo është një arsye më shumë pse kjo nuk është ‘krizë sovraniteti’”, ka shkruar Joseph.

Ai ka thënë se nëse shqetësimi është sigurimi i të drejtave të serbëve të Kosovës, atëherë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mund të udhëheqë rrugën që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, në mënyrë që serbëve të Kosovës t’iu ofrohet qasje në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut.

Joseph ka thënë se kjo do të ndryshonte menjëherë marrëdhëniet.

“Në vend të kësaj, Vuçiq po zbulon retorikën famëkeqe të kohës së luftës që i parapriu spastrimit etnik dhe gjenocidit në Bosnje”, ka thënë profesori amerikan.

Ai ka përmendur edhe kriminelin Milan Radojçiq i cili tashmë është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online)