Ja kush pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Serbisë?

  • G.G /
  • 24 August 2022 - 22:10
Ja kush pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Serbisë?

Kryesia e Partisë Progresive Serbe (SNS) nën udhëheqjen e Aleksandër Vuçiqit është pritur të vendosë sot më 24 gusht për mandatarin për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

Në garë për këtë pozitë janë dy emra të njohur në Serbi.

Sipas informacioneve që kanë mundur të sigurojnë mediat në Serbi, përveç kryeministres Ana Bërnabiq, në garë për kreun e qeverisë është edhe kryetari i Novi Sadit dhe njëherësh nënkryetari i SNS-së, Millosh Vuçeviq.

Edhe vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përmendur këta dy emra si kandidatë potencialë për shef qeverie.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar pasardhësin e saj në ekzekutiv.

“Me kënaqësi do t’i jap rrugën Vuçeviqit, nëse ai bëhet kryeministër. Do të bëj çmos që t’i përcjell përvojat e mia dhe ta ndihmoj”, ka thënë Bërnabiq për TV Prva.

Nga ana tjetër, Vuçeviq nuk ka folur shumë lidhur me atë se a do të jetë ai kryeministër i ardhshëm i Serbisë.

Ndoshta për faktin se ai edhe gjatë formimit të Qeverisë së kaluar konsiderohej favorit për postin e kryeministrit dhe praktikisht po përgatitej të merrte detyrën.

Ai pohoi se ekziston mundësia që SNS-ja të propozojë një kandidat të tretë, varësisht se me kë do të bëjë koalicion, duke theksuar se momentalisht kandidatë janë ai dhe kryeministrja aktuale.

Kur është fjala për partnerin e koalicionit, Vuçeviç thotë se ka mundësi që në seancën e Kryesisë së SNS të ketë një ndryshim të madh dhe që partia progresive të propozojë dikë nga Partia Socialiste e Serbisë si mandatar.

(Kosova Sot Online)