Emisarët nga Veriu: 1 shtatori do të jetë ditë normale

  • G.G /
  • 25 August 2022 - 13:08
Emisarët nga Veriu: 1 shtatori do të jetë ditë normale

Pas takimit me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarët e komunave veriore me shumicë serbe, dy emisarët përsëritën angazhimin për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që mos të ketë tensione më 1 shtator, pas vendimeve të Kosovës për reciprocitet në dokumente dhe për targat ilegale.

Emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe  Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajcak, kanë qëndruar sot në veri të Kosovës, para se të shkojnë në Beograd.

Sipas një raportimi të KosovaPress, emisarët kanë thënë se 1 shtatori, dita kur pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targa dhe dokumente të lëshuara nga Serbia, do të jetë ditë e zakonshme.

Lajçak tha se do të vazhdojnë vizitën në Beograd dhe pastaj do të kenë një përgjigje më të saktë për gjetjen e një zgjidhjeje.  Ndërsa, Escobar, tha se takimi me përfaqësuesit serb në Kosovë ka qenë I mirë dhe ka dëgjuar gjitha shqetësimet e tyre.

“Një takim shumë i rëndësishëm me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë. Ne patëm diskutime për të gjitha temat e rëndësishme dhe po vazhdojmë udhëtimin tonë për në Beograd,” tha Lajçak para gazetarëve.

Ai u pyet edhe rreth raportimeve se ata kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa e dokumente për tre muaj.

“Ka shumë spekulime, nuk di asgjë për këtë”, u përgjigj Lajçak.

Gjatë dy ditëve të kaluara, Escobar dhe Lajcak, kanë takuar liderët shtetërorë dhe opozitarë në Kosovë. 

(Kosova Sot Online)