Kërcënimi se shteti ua ndalë rrogat, çka komunikuan grevistët me ministrinë e Hekuran Muratit

  • G.G /
  • 25 August 2022 - 15:03
Kërcënimi se shteti ua ndalë rrogat, çka komunikuan grevistët me ministrinë e Hekuran Muratit

Ministria e Financave ka kërkuar listën e punëtorëve që duan të hyjnë në grevë, për t’ua pezulluar pagat. Kjo ka nxitur reagime ndaj partisë në pushtet, që si opozitë, përkrahte pa kushte grevistët. Express ju sjell një komunikim me Sekretarit të ministrisë dhe Ali Sefajt nga grevistët.

Punonjës të sektorit publik, që sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme, kërcënohet se nuk do të paguhen për aq kohë sa janë në grevë.

Në një email që ka dalë në media, Sekretari në detyrë i ministrisë që e drejton Hekuran Murati, kërkonte listën e punonjësve që do t’i bashkoheshin grevës, për t’ia pezulluar pagat. Se kjo kërkesë është bërë, e konfirmoi autori i saj, Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të ministrisë, Enis Spahiu.

Përveç konfirmimit, Spahiu ka dhënë detaje rreth një komunikimi mes Ministrisë dhe Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës, rreth grevës.

Në emailin që thuhet se anëtari i Këshillit Grevist, në adresë të Ministrisë së Financave, Ali Sefaj ka kërkuar “që të krijohen kushtet dhe të mos pengohet mbajtja e grevës”.

“Siç jeni të njoftuar, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur Grevë të Përgjithshme në Sektorin Publik, e të cilës i është bashkuar edhe administrata shtetërore – shërbyesit civil në nivelin qendror dhe lokal. Greva mbahet në institucione në vendin e punës në pajtim me paragrafin 1 të nenit  10 të  Ligjit për Grevat nga ora 8 deri në 16 dhe gjatë grevës nuk punohet”, thuhet në një shkrim që Ministria thotë se e mori nga Sefaj.

Ky email i Sefajt nuk mbeti pa përgjigje.

Edhe pse adresimi i BSPK-së mban datën 18 gusht dhe aty lajmërohet se greva nis me 25 gusht, Sekretari i ministrisë u ka thënë që këtë njoftim është dashur ta pranonin 7 ditë para grevës.

Më pas, Spahiu ka kërkuar listën e grevistëve në mënyrë që t’i pezullohen pagat.

“Në anën tjetër, keni parasysh që jemi të detyruar të ndërmarrim disa veprime menaxheriale për sigurimin e disa informatave lidhur me grevën, në zbatimin e dispozitave të Ligjit për Greva. Konkretisht, duhet të sigurojmë materiale përkatëse për përmbushjen e kushteve ligjore për mbajtjen e grevës (procedurale dhe materiale) dhe listën e zyrtarëve që marrin pjesë në grevë, me qëllim të pezullimit të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar, siç përcaktohet në  nenin 18, paragrafi 1, i Ligjit për Greva”, thuhet në replikën, të cilën Spahiu thotë se ia ka nisur Sefajt.

Pasi i paralajmëron se s’do të paguhen punëtorët që grevojnë, zyrtari i Ministrisë garanton se nuk do të pengohet ata që duan të mbajnë grevë.

“Ju garantojmë që këto veprime nuk do ta pengojnë grevën, as që do të përçojnë një mesazh të tillë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjmë në vendimin vullnetar të secilit zyrtar për grevë. Shpresoj që edhe ju e kuptoni këtë dhe e përcjellni këtë informatë kolegëve tuaj dhe pjesëmarrësve në grevë”, thuhet aty.

Në përgjigjen e Spahiut për median, ai ka bashkangjitur edhe një dokument, ku janë kërkesat e BSPK-së drejtuar ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Sipas këtij dokumenti, kërkesat e BSPK-së janë: Rritja e pagës për 100 euro, plotësim ndryshimi i ligjit për skema pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi i ligjit për Sigurimin Shëndetësor.

Kundër “kërcënimit” të Ministrisë së Financave se do t’i pezullojnë pagat për grevistët ka dalë juristi Ehat Miftaraj.

Sipas tij, pezullimi i pagave “është cenim i rendë i të drejtave të punëtorëve, e paparë në një shtet demokratik, ose nga një parti politike që ka promovuar shtet social”.

Përveç Miftarajt, ndaj kësaj kërkese ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ajo ka thënë se “partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka për obligim të ulet me sindikalistet, të nisë dialogun social dhe të gjendet një zgjidhje për përfundimin e grevës”.

Ndërsa për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se kriza ekonomike qytetarëve iu ka “mbërritur në asht”, për këtë thotë se ‘durimi është sosur”.

“Kryeministër mos e kërko fajin te punëtorët por te vetja jote. Ka më shumë se një vit e gjysmë që ti tallesh me ta, për të mos thënë se po i vjedhë ata”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, të enjten.

Ai ka shtuar se “punëtorët janë në të drejtën e tyre dhe grevat janë mjeti i vetëm që u ka mbetur në dorë”.

Tashmë, BSPK ka hyrë në grevë.

“Sot, e enjte, më 25 gusht 2022, duam të informojmë opinionin se tash më jemi në grevë të përgjithshme, dhe jemi në grevë pa dëshirën tonë por të detyruar nga premtimet dhe zvarritjet në përmbushjen e kërkesave të ligjshme dhe të arsyeshme, nga premtimet që nuk u përmbushën kurrë dhe nga zvarritjet e qëllimshme që prodhuan këtë – hyrjen në grevë”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.

(Kosova Sot Online)