I shiti mbi 3 mijë dollarë amerikan të falsifikuar në këmbim të 1 mijë eurove, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit nga Prizreni

  • S.A /
  • 25 August 2022 - 15:57
I shiti mbi 3 mijë dollarë amerikan të falsifikuar në këmbim të 1 mijë eurove, një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit nga Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 23.08.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 23.09.2022, ndaj të pandehurit B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “falsfikimi i parasë”.

“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datë 23 gusht, në orët e mesditës, duke ditur se paraja është e falsifikuar vë në qarkullim kartëmonedhat dollar Amerikan në atë mënyrë që i pandehuri personit ……, i shet 3,250 dollar Amerikan në këmbim të 1000 eurove para origjinale”, thuhet në njoftim.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, faktin i pandehurit është kapur në flagrancë duke i ndërmarrë veprimet e veprës penale për të cilën dyshohet.

“Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, duke marrë parasysh edhe karakterin personal të të pandehurit, i cili në bazë të evidencës penale është i evidentuar edhe më herët si kryerës i më shumë veprave penale që kanë për qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Nga të lartcekurat, të pandehurit B.K., i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, arratisjes së të pandehurit, dhe zhvillimit të papenguar të procedurës hetimore”, thuhet më tej në njoftim.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

(Kosova Sot Online )