Kurti kërkon t’i punësojë 10 mërgimtarë

  • E.K /
  • 25 August 2022 - 22:54
 Kurti kërkon t’i punësojë 10 mërgimtarë

Në kohën kur Qeveria ka hyrë në një betejë me punëtorët e sektorit publik, duke i kërcënuar me ndëshkime në paga nëse grevojnë, kryeministri Albin Kurti u është drejtuar mërgimtarëve që të aplikojnë në Programin për Diplomaci Qytetare, përmes të cilit do të angazhohen dhjetë profesionistë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për gjashtë muaj.

“Mërgata jonë gjithmonë ka qenë një nga kontribuuesit më të rëndësishëm të popullit tonë për Republikën tonë. Me Qeverinë tonë, ka ardhur koha që diaspora të jetë pjesë e vendimmarrjes në përpjekjet e Kosovës sonë për të zgjeruar prezencën e saj kudo në botë. Po e fillojmë këtë me profesionistë të rinj nga mërgata. Thirrja për aplikim në Programin për Diplomaci Qytetare vazhdon të jetë e hapur. Ky program parasheh angazhimin e dhjetë profesionistëve të rinj nga diaspora në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës për një periudhë gjashtë mujore”, ka njoftuar kryeminsitri nëpërmjet një video-paraqitjeje.

Ai ka njoftuar se afati i fundit për aplikim është data 28 gusht.

“Bëhuni pjesë duke aplikuar që sot. Për më shumë informata për procesin e aplikimit dhe për programin vizitoni faqen: www.cdfellowship.com Suksese!”, ka shkruar në fund Kurti.

(Kosova Sot Online)