Pavarësisht grevës, zv/ministri i Arsimit i bindur se mësimi fillon më 1 shtator

  • E.K /
  • 26 August 2022 - 18:19
Pavarësisht grevës, zv/ministri i Arsimit i bindur se mësimi fillon më 1 shtator

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor.

Aktualisht ka thënë ai se është duke u bërë edhe shpërndarja e teksteve shkollore dhe çdo gjë është gati që mësimi të fillojë më datë 1 shtator.

Lidhur me grevat në arsim, Pupovci vlerëson se veprimet që ndërprejnë procesin mësimor nuk kanë arsyetim.

Ai ka thënë se sindikata e arsimit gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë edhe të drejtat e nxënësve për shkollim.

“Në Projektligjin e ri të pagave, mësimdhënësit me të vërtetë janë trajtuar me kujdes të veçantë, që ne edhe para-draftit që ka dalë në shkurtin e këtij viti e kemi diskutuar me Sindikatën dhe kemi bërë disa modifikime në të. Pastaj, ia kemi dërguar Ministrisë së Administratës Publike dhe tani kur doli ky drafti zyrtar, po e shohim se ato vërejtje janë marrë parasysh. Nëse e shihni në raport me atë Ligjin e kaluar, të cilin e pat anuluar Gjykata Kushtetuese, ne kemi faktikisht ngritje të koeficienteve për të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe përmirësim të atyre përpjesëtimeve në mes të pagës së një mësimdhënësi dhe pagës më të madhe në Kosovë, që ka qenë një problem me rastin e Projektligjit të kaluar, dhe kjo vlen edhe për stafin tjetër të shkollave”, tha ai.

“Ndërsa, për sa i përket grevës, ne jemi deklaruar edhe më herët se veprimet për ndërprerjen e procesit mësimor nuk kanë arsyetim. Natyrisht, sindikata gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë edhe të drejtat e nxënësve për shkollim. Këto dy çështje duhet të balancohen dhe sigurisht të gjenden forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë, përveç të pengimit të procesit mësimor”, deklaroi Pupovci.

(Kosova Sot Online)