Gastronomët në hall, mezi po u përballojnë reduktimeve të energjisë elektrike

  • E.K /
  • 26 August 2022 - 20:50
Gastronomët në hall, mezi po u përballojnë reduktimeve të energjisë elektrike

Gastronomët me vështirësi kanë përballuar reduktimet e energjisë elektrike të zbatuara nga 15 gushti, Megjithatë KEDS sot njoftoi se nga 1 shtatori do të ketë stabilitet në furnizim.

Gastronomët mezi përballuan problemet që ua shkaktoi pandemia Covid-19 vitin e kaluar, por sivjet kanë një problem tjetër. Ata nuk po mund të punojnë me kapacitete të plota për shkak të reduktimeve me energjinë elektrike.

Arian Vranica, thotë se shumica e lokaleve janë zënë të papërgatitura sa i përket ndaljes së rrymës. Ai thotë se me ndaljen e energjisë elektrike, përveç dëmtimit të mallit në lokale, mund të ketë edhe dëmtime të pajisjeve.

Megjithatë, për ta dhe qytetarët sot erdhi një lajm i mirë nga KEDS, për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike nga 1 shtatori.

Sipas zëdhënësit të KEDS, Viktor Buzhala, sa i përket vonesave të rrymës që po ndodhin nganjëherë, ai thotë se shkak është volumi i madh i shkyçjeve të daljeve.

“Nga volumi i madh i shkyçjeve të daljeve, është e pamundshme që ato të kryhen për të njëjtën kohë”, ka deklaruar ai.

Buzhala apelon të gjithë konsumatorët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike.

(Kosova Sot Online)