Grenellit s’po i pëlqen Escobari, thotë se është bërë “vegël” e BE-së për çështjen e Kosovës dhe Serbisë!

  • G.G /
  • 27 August 2022 - 14:25
Grenellit s’po i pëlqen Escobari, thotë se është bërë “vegël” e BE-së për çështjen e Kosovës dhe Serbisë!

Ish-emisari i SHBA-së, në Presidencën e Donald Trump, Richard Grenell ka dhënë kritika në drejtim të administratës së presidentit Biden sa i përket bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Biden duhet të krijojë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Grenell dha kritika në qëndrimin e të deleguarit amerikan, Gabriel Escobar.

“Tatimpaguesi amerikan ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në Kosovë. Dhe miliarda të tjera në rajonin e Ballkanit. Ne investojmë për ta bërë SHBA-në më të fortë ”, tha Grenell, duke shtuar se Escobar punon për popullin amerikan, por duket sikur punon për BE-në.

Diplomatët amerikanë duhet të kërkojnë që Kosova dhe Serbia të krijojnë kushtet për vende të reja pune dhe ekonomi në rritje – dhe të lënë anash politikën evropiane. Nëse Escobar këmbëngul që thjesht t’i pëshpërit BE-së si vëzhgues, atëherë ai duhet t’i thotë BE-së të bëjë më shumë në Ukrainë”.

Kujtojmë se me “izën” e Escobarit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se më 1 shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe.

“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha ai.

Sipas presidentit serb, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por “të pasuksesshme”.

Ai tha se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

“Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta”, tha Vuçiq.

“Për çështje të tjera jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje kompromisi”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)