Haziri i përgjigjet pozitivisht Kurtit: Momentum i ri në negociatat Kosovë-Serbi, urgjentisht një dialog pozitë-opozitë

  • E.K /
  • 28 August 2022 - 16:33
Haziri i përgjigjet pozitivisht Kurtit: Momentum i ri në negociatat Kosovë-Serbi, urgjentisht një dialog pozitë-opozitë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri sheh një “momentum të ri” në dialogun Kosovë – Serbi pas marrëveshjes për dokumentet në pikëkalimet kufitare. Ai tani propozon një dialog të brendshëm pozitë – opozitë, teksa paradite Kurti i ftoi liderët opozitar në një takim.

Në këtë fazë, Haziri tha se duhet të ndalet retorika e luftës, pasi sipas tij fukusi ndërkombëtar “po çon drejt një zgjidhje të kërkesave për njohje reciproke”.

“Përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet. Në këtë fazë, mesazhi është që duhet të ndalet retorika e luftës, retorika që sjell konflikt, sepse jo shpeshherë në proceset politike na ndodh që të krijohen rrethanat politike ku fokusi ndërkombëtar po çon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke, pa opsion tjetër”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Megjithatë, ai nuk i beson Qeverisë së Kosovës në këtë proces. Ajo, sipas tij, “nuk është e gatshme për këtë sepse ka pasiguri e mungesë kapacitetesh në këtë përbërje që e ka”.

“Është nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm për këtë me pjesëmarrje të pozitës e opozitës dhe shoqërisë civile. Krejt kjo për t’i dhënë oksigjen politik negociatorit, në interes të Republikës”, shkroi Haziri.

Kryeministri Albin Kurti, sot nga mbledhja e partisë së tij tha se i ka ftuar liderët e partive opozitare në një takim, ku tha se do t’i informojë për procesin e dialogut. Ai tha se dallimet mes vete nuk duhet ta tejkalojnë interesin shtetëror e kombëtar.

(Kosova Sot Online)