Kurti u ka çuar ftesa Krasniqit, Abdixhikut e Haradinajt për takim nesër

  • G.G /
  • 29 August 2022 - 11:49
Kurti u ka çuar ftesa Krasniqit, Abdixhikut e Haradinajt për takim nesër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, u ka bërë thirrje krerëve të partive opozitare për një takim, për të diskutuar lidhur me takimin e fundit që ai pati në Bruksel.

“Ne jemi për dialog me parime dhe për proces transparent prandaj edhe sot i dërgoj ftesë tre krerëve opozitar për t’i informuar e për të diskutuar për takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel dhe sfidat që i ka shteti ynë përpara”, tha Kurti dje.

Se tashmë janë dërguar ftesat e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në një prononcim për Gazetën Express, ai tha se në formë elektrike ftesat janë dërguar dje, ndërsa sot do t’i dërgohen fizikisht.

“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot fizikisht. Ftesa për takim është për ditën e nesërme, pra të martën”, tha Kryeziu.

Media ka tentuar të marrë përgjigje nga partitë opozitare se a do t’i shkojnë Kurtit në takim, mirëpo ende nuk janë pëgjigjur.

(Kosova Sot Online)