Haradinaj i përgjigjet ftesës së Kurtit: Shkoj në takim

  • G.G /
  • 29 August 2022 - 13:35
Haradinaj i përgjigjet ftesës së Kurtit: Shkoj në takim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për të biseduar rreth takimit të fundit në Bruksel.

“Për mua dhe Aleancën, çëshja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interest nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj tha se kryeministri “këtë herë” e ka përjashtuar AAK-në dhe opozitën “nga çfarëdo konsultimi apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel”.

I pari i AAK-së ka falenderuar Gabriel Escobar, Jeffrey Hovenier dhe Mitroslav Lajçak.

“U jam mirënjohës të dërguarit amerikan Escobar,  ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore na kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel”, ka thënë Haradinaj.

Përveç Haradinajt, për takim Kurti i ka ftuar edhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atë të PDK-së, Memli Krasniqi, të cilët ende nuk janë deklaruar nëse do të shkojnë.

 

https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/posts/625379335620085

(Kosova Sot Online)