Brnabiç: Kurti nuk e do paqen, nuk pranon kompromis

  • E.K /
  • 29 August 2022 - 17:07
Brnabiç: Kurti nuk e do paqen, nuk pranon kompromis

Serbia dhe Kosova pranuan të heqin dorë nga lëshimi i dokumenteve të përkohshme për hyrje-daljet në kufi, duke i vënë kapakun një prej çështjeve që rindezi gjakrat në veriun e Kosovës.

Por ndërsa u mendua se tensionet ishin drejt shuarjes, me disa që e panë madje marrëveshjen si njohje të pavarësisë nga Beogradi, mosgjetja e një zgjidhje për çështjen tjetër të rëndësishme, atë të targave, bën që paqja në veri të jetë ende nën kërcënim.

Kryeministri Albin Kurti tha gjatë fundjavës së është i vendosur për reciprocitet të plotë, dhe se nga 1 shtatori do të hyjë në fuqi vendimi, që kërkon zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës.

Në një intervistë për mediat vendase, kryeministrja Ana Brnabic e cila mori një mandat të ri në krye të ekzekutivit serb, tha se një periudhë paqëndrueshmërie e pret vendin më 1 shtator, pasi sipas saj, Albin Kurti nuk e do paqen, dhe nuk është gati për një kompromis për targat.

“Nuk jemi dakordësuar për asgjë lidhur me targat. Albin Kurti nuk është gati për kompromis, ne propozuam zgjidhje të caktuar, targa me status neutral KS, por ai nuk i pranoi dhe bisedimet po vazhdojnë. Nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë pasi Kurti nuk e do paqen. Destabiliteti i shërben atij si një alibi për të mbuluar problemet që nuk mund t’i zgjidhë”, tha Brnabiç.

Ajo bëri thirrje për unitet kombëtar, për të përballuar ato që i quajti kohëra të vështira. Sakaq, Presidenti Aleksander Vuçiç ripërsëriti se marrëveshja me Kosovën për dokumentet e identifikimit është thjesht verbale dhe nuk nënkupton njohjen e pavarësisë.

Ai tha se Serbia arriti të nxjerrë më të mirën e mundshme nga marrëveshja. Duke ju referuar deklaratës së Kurtit për vendosjen e reciprocitetit të plotë, presidenti serb, tha se kjo do të thotë se ai dëshiron konflikte dhe probleme të vazhdueshme. “Unë dhe Serbia do të luftojmë për mbrojtjen e njerëzve tanë”, ishte paralajmërimi  i Vuçiç.

(Kosova Sot Online)