Identifikohet edhe i dyshuari i pestë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

  • G.G /
  • 30 August 2022 - 08:20
Identifikohet edhe i dyshuari i pestë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Policia ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se policia është në kërkim të tij.

“Lidhur me rastin e ‘dhunimit’ të raportuar dje në Prishtinë, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejtë dhe arrestimit të dy (2) personave të dyshuar, në vazhdimësi ka punuar me intensitet të lartë në identifikimin edhe të personave tjerë, hetimin dhe sqarimin e rrethanave të plota të këtij rasti. Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonalë kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë (5) i dyshuar për përfshirje në rastin ‘dhunim’”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej katër persona.

“Pra, lidhur me rastin e ‘dhunimit’, policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjetur në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor. Policia e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin e rastit të lartcekur në mënyrë sa më profesionale dhe kryerësit e këtij akti të sillen para organeve të drejtësisë”, thuhet tutje në komunikatë.

(Kosova Sot Online)