Kurti sot takohet me Abdixhikun dhe Haradinajn, pa Krasniqin

  • G.G /
  • 30 August 2022 - 08:24
Kurti sot takohet me Abdixhikun dhe Haradinajn, pa Krasniqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i pret në takim sot kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Dy krerët opozitarë pranuan dje ftesën e Kurtit, për dallim nga ai i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e refuzoi atë.

Shefi i qeverisë ka ftuar krerët e partive opozitare për të biseduar pas takimit të mbajtur në Bruksel, më 18 gusht në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

I pari që pranoi ftesën e Kurtit, ishte Haradinaj, i cili theksoi se çështja e dialogut, për të gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake, derisa shtoi se për tema të interesit nacional nuk ka qeveri dhe opozitë.

Më pas ftesës iu përgjigj edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por sipas tij, çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, prandaj edhe do ta pranojë këtë ftesë.

Ndryshe nga dy krerët tjerë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se nuk e sheh të nevojshme t’i shkojë në takim kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pasi sipas tij, dialogu me Serbinë ka rrëshqitur në nivel teknik.

(Kosova Sot Online)