Vrasja e trefishtë në Gllogjan, tre të dyshuarit ende në paraburgim

  • E.K /
  • 30 August 2022 - 16:01
Vrasja e trefishtë në Gllogjan, tre të dyshuarit ende në paraburgim

Tre të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, ende janë duke u mbajtur në paraburgim nën dyshimet që lidhjen me përfshirjen në sulmin ndaj autobusit me nxënës, ku mbetën të vrarë shoferi dhe dy nxënës.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, ka konfirmuar se paraburgimi ndaj tre të dyshuarve është vazhduar deri në muajin shtator, sikurse për të dyshuarin e katërt, i cili gjendet në arrest shtëpiak.

“Ju njoftojmë se paraburgimi për dy të pandehur dhe arresti shtëpiak për një të pandehur është vazhduar deri me datë 09.09.2022 ndërsa, paraburgimi për një të pandehur është vazhduar deri me datë 01.09.2022”, thuhet në përgjigjen e Zhutit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë më 21 dhjetor 2021, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Në këtë vendim, thuhej se gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, atë të vrasjes së rëndë dhe të armëmbajtjes pa leje.

“Gjykata ka aprovuar propozimin e prokurorisë për caktim të paraburgimit duke pas parasysh dënueshmërinë e lartë të vepres penale nga neni 173 i KPRK-se, faktit se ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët dhe të dëmtuarit, fakti se bëhet fjalë për të pandehur që kanë lidhje familjare si dhe duke pas parasysh peshën e veprës dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra dhe pasojat e mëdha të shkaktuar me këtë rast, rrethana këto që tregojnë rrezikun real se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri apo nën një masë tjetër të sigurisë, të njejtit do të arratisen, do të ndikojnë në dëshmitar osë të dëmtuar, të fshehin prova si dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre e me kete te pamundesojne zbardhjen e plote te rastit.”, thuhej në komunikatë.

Kurse më 10 shkurt 2022, ishte arrestuar edhe i dyshuari i katërt në këtë rast.

Më 10 janar 2022, njërit nga të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, masa e paraburgimit i është zëvendësuar me arrest shtëpiak.

Ndryshe, tre të dyshuarit për ngjarjen e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit, ku u vranë tre persona, ishin arrestuar më 11 dhjetor.

Në sulmin ndaj autobusit me nxënës, mbeti i vrarë shoferi dhe dy nxënës.

(Kosova Sot Online)