Marrëveshja për dokumentet e identifikimit, DASH: Blinken e sheh si një hap të rëndësishëm përpara në procesin e dialogut

  • G.G /
  • 31 August 2022 - 10:57
Marrëveshja për dokumentet e identifikimit, DASH: Blinken e sheh si një hap të rëndësishëm përpara në procesin e dialogut

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken e konsideron një “hap të rëndësishëm përpara” përparimin e fundit në dialogun Kosovë-Serbi.

Kështu ka thënë zëdhënësi kryesor i DASH, Vedant Patel, duke shtuar se Blinken “ka qenë i afërt” me zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE.

“Sekretari i Shtetit beson se dialogu është mjeti më i mirë në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të arritur një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” dhe “normalizimin e marrëdhënieve” të përqendruara rreth “njohjes reciproke”, tha Petel për Pavlovic Today.

Patel shtoi se SHBA-të, me përkushtimin e Kurtit dhe Vuçiq dhe “punën e palodhur” të përfaqësuesit special të BE-së “do të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara në mënyrë paqësore”.

Marrëveshja për dokumentet u arrit të shtunën pas insistimit të ndërkombëtarëve për të shmangur tensionet që shpërthyen më 31 korrik në veri të Kosovës. Qytetarë të shumtë serbë kishin vendosur barrikada në pikat e kalimit kufitar në Jarinje dhe Bërnjak për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për zbatimin e masës së reciprocitetit.

(Kosova Sot Online)