Dorëhiqet një gjyqtar i Speciales

  • G.G /
  • 31 August 2022 - 11:02
Dorëhiqet një gjyqtar i Speciales

Gjyqtari i Gjykatës Speciale, Mihael Bolander, ka dhënë dorëheqje.

Sipas njoftimit të Speciales, Bolander është dorëhequr për arsye personale, “deklaroi se ndihej i nderuar që kishte shërbyer si gjykatës”.

“Kryetare Trendafilova shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë për kontributin e gjykatësit Bolander në mandatin e DHSK-së,  përfshirë edhe, së fundi, si anëtar i panelit të parë të Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me këmbëngulësinë e bashkësisë ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Që nga viti 2019, mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje si të dyshuar dhe dëshmitar nga prokuroret e Prokurorisë së Specializuar.

Ndërkaq aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Por, të gjithë nga të akuzuarit i kanë mohuar kategorikisht akuzat që rëndojnë mbi ta. Ata janë deklaruar të pafajshëm në fjalimet e tyre të para në gjykatë.

(Kosova Sot Online)