Dha dorëheqje për shkak se njëri prej të dyshuarve për dhunim ishte në burg

  • G.G /
  • 31 August 2022 - 13:35
Dha dorëheqje për shkak se njëri prej të dyshuarve për dhunim ishte në burg

Ish-drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, ka dhënë sot dorëheqje, meqë një nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, ka qenë më herët në burg.

Në një prononcim për Gazetën Express, Gashi ka treguar se i dyshuri për dhunim ka qenë kohë pas kohe në burg për vjedhje e grabitje.

Ai ka dhënë se dorëheqja e tij është akt moral, meqë s’po arrijnë t’i riedukojnë dhe risocializojnë të burgosurit.

“Ai ka qenë një kohë, kështu kohë pas kohe, për grabitje, për vjedhje  në burg edhe unë kam qenë Drejtor për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.  Është akt moral, pasi që nuk po arrijmë të burgosurit t’i riedukojmë dhe t’i risocializojmë, edhe rasti më ka prek edhe mua shumë, ashtu siç i ka prek gjithë kosovarët edhe prandaj kam dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Drejtoratit për Trajtimit e të Burgosurve dhe të Miturve”, ka thënë Gashi.

I pyetur nëse i dyshuri është liruar më herët se që ka qenë e paraparë, Aliu ka thënë t’iu referohemi Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues, meqë ka thënë se s’ka informacione të tilla.

“Se di, si kam informacionet. Për informacionet tjera referojuni Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues “, ka thënë Gashi për Express.

Ndryshe, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona.

Sipas SHKK’së, dorëheqja e Gashit ka ardhur si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“ Pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares, si akt moral jep dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, z. Ali Gashi. Dorëheqja ka ardhur si akt moral i z. Gashi, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale. Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)